ELBASAN-Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda ka paralajmëruar nga Elbasani se pas sensibilizimit dhe njoftimit të bizneseve apo institucioneve do të fillojnë masat ndëshkuese në rast të moszbatimit të ligjit anti-duhan.
 
Kreu i Inspektoratit ka zgjedhur një ndër zonat më të frekuentuara në qytetin e Elbasanit, pikërisht lokalet përreth fakultetit Ekonomik për të përcjellë mesazhin e zbatimit të ligjit anti-duhan.
 
Deda është shprehur se bashkë grupin inspektues ka zbritur në Elbasan për të parë zbatimin në terren të ligjit anti-duhan.
 
Ai theksoi se bizneset tashmë e kanë kuptuar se ligji do të zbatohet me përpikëri dhe nuk do të ketë zmbrapsje.
 
Java e parë ka konsistuar në informimin dhe sensibilizimin e të gjitha subjekteve private dhe institucioneve për zbatimin e ligjit anti-duhan dhe masat ndëshkuese.
 
Inspektorët kanë informuar tashmë pronarët dhe administruesit e bizneseve dhe në vazhdim do të vendosen masa ndëshkuese me gjoba që përfshijnë edhe vetë duhanëpirësit me ndryshimet e bëra në ligjin anti-duhan.
 
 
 

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)