TIRANË, 12 Mars/ATSH/- Avokati i Popullit u dërgoi kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit rekomandimin për marrjen e iniciativës për përmirësime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë me synim, përfaqësimin dhe aksesin e barabartë gjinor.
Sipas burimeve zyrtare të AP-së, rekomandimi kërkon ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë me synimin e garantimit të barazisë gjinore (pra 50%).
Avokati i Popullit rekomandon që në përbërjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme të ketë një numër jo më pak se 70 gra deputete. Po ashtu rekomandon që në këshillat e ardhshëm bashkiakë 50% të jenë gra, duke krijuar kështu akses të barabartë të grave dhe burrave për përfaqësimin në organet e qeverisjes vendore.
Avokati i Popullit rekomandon shtimin në përmbajtjen e tij "të refuzimit të listës së partive politike në rastet kur nuk plotësojnë barazinë e plotë të përfaqësimit të gjinive"./a.gjonaj/
/m.m/












