Për ish- komandantin e Brigadës Komando Arben Çuko, sulmet e Rusinë në Ukrainë mund të ndalen vetëm duke iu përgjigjur me luftë.

I ftuar në emisionin, ‘Bota Report’ në Report Tv, Çuko tha se Europa do të duhet që të riarmatoset për të bërë të mundur garantimin e paqes dhe sigurisë.

‘Bota është ndarë, sulmi Rusisë mbi Ukrainë ishte ndarja reale e botës në dy kampe, kambanat e alarmit kanë filluar që të bien, masat duhet që të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të përgjithshme. Riarmatimi që Europa e la pas dore tani do të duhen 5 vite që ta ndjejë veten të aftë që të garantojë paqe dhe siguri për vetë veten e saj. Mark Rutte tha pak ditë më parë se për herë të parë prodhimi i municionit i artilerisë së rëndë të NATO e kaloi prodhimin e Rusisë, pra e sheh sa mbrapa është, ai tha të NATO dhe jo të vendeve të Europës.

Rusia tashmë e ka futur industrinë e saj në shinat e luftës, Europa akoma jo, vetëm retorikën ka futur. Futja në shinat e luftës të industrisë është proces i gjatë dhe i pandalshëm, nuk mundet që me vendim të thjesht politikë të kthehet mbrapsht ajo që ka nisur ndërtimi. Nuk ka fuqi politike dhe nuk ka urdhër që mund ta ndalojë luftën, vetëm lufta’, tha ai.

Çuko tha se, edhe Shqipëria duhet që të rrisë kapacitet e veta mbrojtëse dhe të fuqizoi industrinë ushtarake.

‘Kjo është gjë e mirë, është rilindja e industrisë ushtarake shqiptare. Duhet rritje e kapaciteteve të veta mbrojtëse. Që të arrihet të prodhohen armë municione dhe dronë. Iniciativa që po tregon qeveria për fuqizimin e industrisë ushtarake është gjëja më e mirë, sepse nëse nuk arrin që të krijosh frenimin vet mos prit aleatët e tu që të vijnë dhe të ndihmojnë’, tha ai.