Në tavolinën ngjitur dy mesoburra po pinin kafe, pasi kishin votuar.
“Votove?”,-pyet njëri.- “Kë?”
“Votova për bukën e gojës!”- iu përgjigj me zë të ulët shoku duke parë me mosbesim rreth e qark.
Kjo është ndoshta fjalia më e trishtë dhe më e zakonshme që dëgjohet pas çdo palë zgjedhjesh në Shqipëri.
“Votova për bukën e gojës”, “për vendin e punës”, “se më ndihmuan”, “se do më ndihmojmë”, “më kanë premtuar”...
Në thelb, është rrëfimi më i sinqertë i një robërie që s’ka nevojë për pranga e zinxhirë, mjafton varfëria, frika, varësia. Një votë e dhënë për bukën e gojës, për vendin e punës, nuk është votë e lirë; është shitje e dinjitetit, është treguesi më i qartë i kulturës sonë demokratike, i varfërisë sonë shpirtërore, shoqërore, ekonomike, i nënshtrimit tonë. Është justifikimi i një shoqërie që ende nuk e ka kuptuar se buka e sotme, e marrë si lëmoshë, është uria e nesërme.
Nuk ka rëndësi nëse vjen nga POZITA apo nga OPOZITA; është gjithmonë e njëjta histori, i njëjti mekanizëm varësie, i njëjti turp i ricikluar pas çdo zgjedhjeje. Disa e përdorin për ta justifikuar blerjen e votës, të tjerë për të arsyetuar dorëzimin e tyre. Por në thelb, të dyja palët ushqehen nga e njëjta plagë: varfëria, frika dhe mungesa e shpresës.
Kur vota shitet për një vend pune, pushteti që del nga ajo nuk është më i lirë, është peng i atyre që e blenë, i atyre që e mbajnë gjallë përmes varfërisë sonë. Një pushtet që ngrihet mbi vota të frikësuara e të blera, nuk mund të jetë kurrë i drejtë, i ndershëm apo për qytetarin. Është pushtet që administron mjerimin si kapital politik.
Një votë që lind nga frika, nuk mund të prodhojë liri, as progres. Një pushtet që ndërtohet mbi varfërinë e qytetarëve, nuk ka interes ta zhdukë, përkundrazi, e mban gjallë si mjet kontrolli.
Vota është akt dinjiteti, jo shpërblim. Në çastin që e kthen në favor, ke pranuar të mos jesh më qytetar, por klient. Dhe klientët nuk kërkojnë llogari, presin “qerasjen e radhës”, ndonjë thërrime.
Dhe plotësohet rrethi vicioz: pushteti fiton jo me meritë, por me shfrytëzim. Më pas, ai siguron që varfëria të vazhdojë, që në zgjedhjet e ardhshme të ketë sërish “klientë” për të blerë. Në këtë mënyrë, liria politike zëvendësohet me një marrëdhënie vasaliteti.
Një votë e tillë nuk është zë, është heshtje. Nuk është zgjedhje, por dorëzim. Dhe një pushtet që del nga një votë e tillë nuk është legjitim, sepse s’buron nga ndërgjegjja e lirë e qytetarit, por nga varësia e tij ekonomike. Ai është pushtet i frikës, jo i besimit.
Pozita e bën për ta mbajtur pushtetin. Opozita e bën për ta marrë. Të dyja investojnë te frika dhe e bëjnë në kurriz të një qytetari që s’ka më as fuqi, as zë, as dinjitet!
Pushteti që lind nga një votë e blerë, do të sundojë me çmimin e asaj vote: me bukë të thatë dhe me liri të munguar.
Ndaj, ndoshta nuk duhet votuar më për bukën e gojës e për lëmoshë, por për dinjitet. Që buka të mos jetë më arsye për t’u nënshtruar!
Komente









