Të dhënat strukturore të brendësisë së pavijonit të tretë të varrit të Amfipolit, në Greqi, janë publikuar së fundmi nga ministria e Kulturës dhe nga disa gazeta e media në vendin fqinj.
Një grupi shkencor i gërmimeve u fut në brendësi të pavijonit dy ditë më parë (më 12 shtator), me qëllim që të argumentojë nga pikëpamja arkeologjike pamjen e pavijonit dhe të studiojë situatën konstruktive për të projektuar masat e nevojshme për mbështetjen mekanike.

Sipas njoftimit të ministrisë së Kulturës së Greqisë, nga vëzhgimi në vend rezultoi se lartësia e argjinaturës prej rëre është më e ulët se në dy pavijonet e tjerë. Sipas vëzhgimeve gjeologjike, mbushja me rërë është në gjendje të mirë. Kubeja brenda është e ndërtuar me gurë gëlqerorë, ashtu si dhe dy pavijonet e mëparshëm. Në tre muret e sipërme, atij lindor, perëndimor dhe verior, në vend të dukshëm, përsëritet e njëjta trajtë mbulese me mermer, me shtylla mbajtëse dhe arkitrarë jonikë.

Në murin jugor, në vend të dukshëm, djathtas dhe majtas hyrjes vazhdon mbulesa prej mermeri. Gurët gëlqerorë të sipërm mbulohen me velaturë me ngjyrë të kuqe, ndërsa pjesa e brendshme e arkitrarit është prishur. Sipas njoftimit, tërësia e gurëve gëlqerorë kanë humbur pjesë të konsiderueshme të materies.

Të dhënat e mësipërme teknike nuk lejojnë kryerjen me siguri të punimeve për heqjen e dherave nga pavijoni i tretë, para se të merren masat e nevojshme mbrojtëse. Zbatimi i këtyre masave, për shkak të aksesit të vështirë, dhe kujdesit të veçantë për shkak të gjendjes së keqe konstruktive, do të kërkojnë mjaft ditë pune, theksohet në njoftimin e ministrisë së Kulturës së Greqisë./ATSH/