Arlinda Canaj: Ju rrëfej “Femrat
nudo të kryeqytetit”

Arlinda Canaj: Ju rrëfej “Femrat<br />nudo të kryeqytetit”
“Femrat nudo të kryeqytetit” është libri më i fundit i shkrimtares dhe gazetares Arlinda Canaj, botuar nga shtëpia botuese “Bota shqiptare”.  Me një tematike aktuale nga realiteti shqiptar, me një stil marramendës dhe një pene të sprovuar ravijëzohen dy personazhe real dhe fantastikë që duket se i njohim çdo ditë në jetët tona. Arlinda Canaj, është një nga shkrimtaret më premtuese në letërsinë shqiptare dhe është vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Me librin e ri të sapodalë në treg duket se do ngjallë mjaft polemika për shkak të personazheve trazgresivë të novelave të saja.Një titull shumë tërheqës që të grishë fantazinë. Që në fakt, nuk është thjeshtë për fasadë…?

Jo në fakt. Është emblema e gjithë novelës “Femrat nudo të kryeqytetit”.  Titulli u ravijëzua në mendjen time dhe më pas lindi rrëfimi. Është një titull domethënës që të ysht vëmendjen dhe besoj se bëhet njësh me gjithë tramën e personazhit.

Çfarë trajtojnë dy novelat?

Dy personazhe që janë në kërkim të dashurisë ideale. Gazmendi është një piktor ekstravagant shumë i suksesshëm në profesionin e tij me famë kombëtare dhe ndërkombëtare po raportin me femrat i ka gurin e tij të Sizifit. Është tërhequr nga hiret e tyre, i ka bërë pre të epshit të tij mashkullor, kanë qenë muza e nudove të tij artistike, po kurrë nuk i ka lejuar të bëhen gjysma e tij më e ëmbël. Në shpirtin e tij shëlbehet hakmarrja ndaj femrave. Ndërsa, Stela është një sociologe në hapat e para të karrierës, e divorcuar dhe e zhgënjyer nga meshkujt që e kanë braktisur. Fati e solli që të njihet virtualisht me një “biznesmen” që i ngjall shpresën për dashurinë e madhe të jetës. Zhytet në këtë dashuri që e mendon përrallore, por shpejt do zhytet në cergën e zhgënjimit


 
Kë do veçoje mes dy personazheve të  novelave në libër?

Padyshim Gazmendin! Ai është një hippy i kohërave moderne. Ai nuk e njeh politikën aktuale, urren familjen dhe bashkësitë njerëzore shoqëri, martesa dhe jeta e tij është arti dhe veprat e tij. Bërthama e jetës së tij janë marrëdhëniet me femrat pa të cilat nuk bën dot po i kanë shëlbyer urrejtjen sepse nuk ka ndjerë lumturi dashurore në jetën e tij. Është një personazh absurd është një artist plot kandë e madhështi. Ai i jeton dy kohët e ndryshimit të sistemit me të njëjtën ritmikë dhe i shërben vetëm hakmarrjes së tij. Mendoj se është një personazh i qëndisur, plot stil  dhe besoj se është një nga dashuritë e mëdha të krijimtarisë sime.
 
Leksiku i  përdorur në novelën “Femrat nudo të kryeqytetit” është vërtet për tu admiruar?

Gjuha shqipe është e pasur me shumë fjalë perla. Nuk e di nëse ju ka ndodhur juve, por në përkthimet që vijnë në shqip leksiku është i qëndisur me fjalë dhe shprehje që të rrinë gjatë në mendje. Shpesh ndodh që në letërsinë shqipe të mos e hasësh një përkorje të tillë. Kam punuar shumë me leksikun e asaj novele duke përdorur fjalë të reja që quhen neologjizma, por në fakt të gjitha egzistojnë në fjalorin e bukur të gjuhës shqipe.

Erotizmi është një nga armët më të forta të dy novelave?

Letërsia shqiptare ka qenë e cunguar nga erotizmi. Aq sa na ka bërë të besojmë se fëmijët lindin nga sqetulla e nën lakër. Sofizma që koha i ka zhvlerësuar. Letërsia bashkohore e rrëfen personazhin në të gjitha dimensionet e tij njerëzore dhe padyshim erotika është qershiza mbi tortë e personazheve. Novelat janë një udhëtim i sinqertë erotik  tek mashkulli dhe femra dhe mënyrat si e përjetojnë ato seksualitetin. Dhe për ta realizuar këtë më është dashur një studim i vërtetë psikologjik i dy sekseve dhe padyshim dhe një njohje shkencore bazuar mbi fakte. Pjesa tjetër është sigurisht fantazia.


 
Sa elemente autobiografike ka në veprën tënde më të re?

Autori në ndërtimin e personazhit derdh shumë nga vetja, por në përgjithësi kam qenë e ftohtë. Novela “Takim në facebook” ka një personazh që është figura mashkullore që ka edukuar shijet e saja estetike për meshkujt. Daja i Stelës është një personazh real që me historinë e tij tragjike ka shënjuar pafundësisht jetën time. Ka qenë me të vërtet modeli im mashkullor.
 
Prej një kohe të gjatë i keni munguar letërsisë shqiptare. Pse zgjodhët pikërisht këtë moment për t’iu rikthyer letërsisë?

Kanë kaluar në fakt nëntë vjet nga botimi i librit “Ankth virgjëreshe” që u prit shumë mirë nga kritika shqiptare. Të them të drejtën ka qenë një ngurrim i çuditshëm që i ka rrënjët te përgjegjësia që duhet të ketë autori për një vepër të re. Duhet patjetër që të jetë një risi në letërsinë që shkruan.
 
Ju ka ndihmuar puna juaj si gazetare në librat tuaj të botuara?

Besoj se ajo është vegja ku është endur krijimi. Gazetaria të ndihmon të takosh shumë personazhe që të bruhen në kujtesë dhe aty zë fill historia narrative. Para disa vitesh ndodhesha në Tepelenë për realizimin e një filmi dokumentar. Aty pashë një fshat të braktisur që më goditi me ashpërsinë dhe vetminë e tij. Disa ditë më pas shkrova një tregim “Perrija” që u prit shumë mirë nga qarqet letrare dhe pati kritika pozitive. Ky ka qenë një rast i drejtëpërsëdrejtë ku gazetaria më ka ndihmuar. Po profesioni i gazetarisë them se më ka ndihmur dhe në shkrimin e dy novelave sepse para se të shkruaj një frazë unë bëj një studim të vërtetë shkencor nëse sjellja e personazhit është një dukuri njerëzore. Dhe për këtë më ka mprehur profesioni i gazetarisë.
 
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

2/2
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos