‘Armiku i Popullit’ në diktaturë, Agron Tufa: Pengues i zbardhjes së historisë, trashëgimia kriminale e enverizmit që është gjallë sot

Kush është Armiku i Popullit? A ka ekzistuar Armiku i Popullit gjatë  diktaturës së proletariatit në Shqipërinë e viteve 1944-1990. Kjo temë, “Fytyra e Armikut të Popullit” ishte konferenca ndërkombëtare shkencore, që bëri bashkë ambasadorë të vendeve të ndryshme në Shqipëri, por edhe drejtues të institucioneve të larta zyrtare për të diskutuar më shumë rreth asaj, që është bërë deri më sot, edhe asaj që duhet bërë në të ardhmen. Drejtuesi i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa e konsideroi këtë termë, Fytyra e Armikut të Popullit, një ideologjizëm, që ka prodhuar racizëm në të gjithë Evropën Lindore edhe Qendrore gjatë epokës komuniste. Ndërsa, pyetjes, se :Kush është Armiku, kush është Fytyra e Armikut të Popullit, i përgjigjet duke thënë se:

 “Unë ju them, se armiku i popullit jeni ju këtu në sallë, vazhdoni që të jeni ju. Ishit dje, keni qenë gjithmonë, jeni edhe sot edhe do të vdisni si armiq. Jeni edhe ju të nderuar shkëlqesi, të vendeve reaksionare, imperialiste, të borgjezisë perëndimore. Nën emrin tuaj janë burgosur mbi 100 mijë persona, internuar edhe pushkatuar. Kjo ishte fytyra e armikut, që ndahej në dy kampe, direkt i veprimit të brendshëm, me të cilin shteti diktatorial lante hesapet. Ndërsa, armiku indirekt, spiunazhet etj”, shprehet Agron Tufa.

Për këtë fushë studimi, sipas Tufës, janë bërë përpjekje nga disa historianë, por janë mbytur pa zhurmë.

“Armiku nuk kishte kufij, mund të ishte vërtet sot mik besnik i partisë, edhe nesër të gjendeshe në rrugë. Por ju e keni marrë vesh, që brenda 38 ditëve është bërë një sulm në shtypin shqiptar, që na bëri shumë nder, sepse u kulluan ujërat, u perceptuan, ato që komunistët thoshin për klasën tuaj edhe tonën, fundërrina”, shpjegon ai para ndërkombëtarëve të pranishëm.

Ndërsa, sipas tij, formacioni i enveristëve vazhdon ende që të jetë mes nesh.

“Doli formacioni i plotë i enveristëve, trashëgimia kriminale e enverizmit sot biologjikisht e gjallë, që është faktori pengues, që ka fuqi pushteti, politike, që ushtron presion, shantazh, kërcënim dhe duhet me  pas zemër të madhe, që t’u tregosh vendin se ku e kanë. Por ajo që u bë shkak i kësaj kryqëzate karakaturske, fatmirësisht të dështuar, një fushatë, e cila u përqendrua gjithmonë për të shpikur, deri edhe romane satirike. Shkaku ka qenë botimi i një libri që botoi instituti ynë. Këto fakte nuk i kemi shpik ne, doja që t’ua ngjisja nëpër mure, se janë dokumente që janë nëpër arkiva, por që historiografia komuniste, e sotmja edhe e djeshmja, kurrë s’kanë denjuar që të zbres edhe të shënojë emrin në kartelë. Ne e dimë shumë mirë, se kush ka hyrë në arkiva, se nuk i kanë përdorur kurrë. Pavarësisht dëshirës së tyre, për t’i prodhuar këto, ato janë”, thotë drejtori i ISSK-së.

Studiuesi dhe shkrimtari shpjegon se në këtë përpjekje të institutit nuk ka asnjë mllef, por është vetëm predispozita, që të pastrohet ajo pjesë e luftëtarëve shqiptarë,  të cilët nuk morën pjesë në krimet e komunizmit. Ndërsa, identifikimi i këtyre ‘Armiqve të Popullit’ sipas tij, nis pikërisht në Mbledhjen e Labinotit në vitin 1943.

“Nuk ka mllefe, nuk ka predispozitë të keqe për të nxirë, por ne duam që të pastrojmë atë pjesë patriotike të luftëtarëve shqiptarë, si im gjysh që luftoi partizan, nga pjesa e rëndë e krimeve që është e papranueshme edhe nuk i sjell asgjë të mirë, as popullit shqiptar sot edhe as brezave të rinj”, shton Tufa.

Shqetësimi ishte se po ndryshonin shinat e perceptimit të historisë, ne po përmbysnim narrativen mbizotëruese të historiografisë komuniste për luftën. Po e përmbysnim nën dritën e fakteve. Edhe do ta bëjmë, do ta bëjmë, sepse na dha një motiv akoma më të fortë, se kush shqetësohet, trashëgimia kriminale e Enver Hoxhës sot.

“Krimet e komunizmit nisin pikërisht me këtë racizëm ideologjike, që quhet armiku, armiku i popullit. Origjinën e kemi që në rregulloren e këshillave nacionalçlirimtare, shtator 43 i këshillave partizane. Mbledhja e Labinotit shtator 43. Atje etiketohet për herë të parë, se kush është armik, që nisi të shumëfishohet për gjysëm shekulli. Përmasat e kësaj të keqe ne akoma si kemi zbuluar, vetëm kemi shënuar disa gërvishte në sipërfaqe. Edhe do t’ju thoja vetëm një fjalë, mos kini frikë, mos kini frikë, e vërteta është e vetëmjaftueshme. Nuk ka nevojë për asnjë avokaturë”, përfundon Agron Tufa.

Konferenca Fytyra e Armikut të Popullit u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Është organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me institutet e tjera.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë