Ish-Prokurori i Përgjithshëm Eugen Beci, ishte i ftuar sot në “Sot, Live në Shqipëri” teksa përveç çështjeve problematike të drejtësisë sot, komentoi dhe arratisjen e djeshme të të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Kjo çështje ka çuar në shkarkimin zinxhir të drejtuesve të Burgut të Durrësit, për shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë.

Ish-prokurori Beci u shpreh se kjo ngjarje ka nxjerrë në pah cedimin e plotë jo vetëm të Drejtorisë së burgut të Durrësit, por të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, arsye kjo që të çon drejt rishikimit të domosdoshëm të protokolleve të sigurisë.

“Vetëm fakti që të lexosh njoftimin dhe të shikosh që janë shkelur të gjithë protokollet do të thotë që diçka serioze nuk funksionon në Drejtorinë e Burgjeve. E gjithë situata tregon se i gjithë zinxhiri komandues i drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tregon që ka ceduar. Për këtë arsye duhet që të rishikohen të gjithë protokollet e mundshme që kanë të bëjnë me sistemi ne burgjeve në Shqipëri.

Fakti i vetëm për një vizitë mjekësore që duhet të ishte rutinë dhe mund të ndiqej nga sistemi i burgjeve brenda, ti detyron të lëvizësh forcat pasi nuk ke një urgjencë, por ke një vizitë rutinë, do të thotë që protokollet duhet të rishikohen. Duhet të rishikohet spitali i burgut, përse ekziston spitali i burgut? Në rast se ti ke një të paraburgosur me probleme shëndetësore ke spitali ne burgut”, tha Beci.

Tashmë çështja është nën hetim nga organet kompetente, ndërsa eci thotë se do të hetohen të gjitha shkeljet apo dyshimet se mund të ketë pasur dhe ndërhyrje nga jashtë nga persona të inkriminuar.

Ish-prokurori i Përgjithshëm thotë se prej kohësh burgu i Durrësit njihet për standarde minimale të sigurisë dhe se është  qendër paraburgimi që i shërben vetëm zyrtarëve të lartë me probleme me ligjin.

“Mund te kemi dhe ndërhyrje nga jashtë që mund të kenë bërë person të inkriminuar për të nxjerrë nga paraburgimi shokun e tyre. Mund të kemi të bëjmë dhe me dhënie parash që së pari ai person të shkojë në Durrës, se dihet që IEVP Durrës nuk është një IEVP me standarde të larta sigurie. IEVP e Durrësit është për zyrtaret e lartë që edhe po tua lesh derën hapur atyre, nuk kanë se ku të ikin”, tha Beci.

Ndërkohë sot, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari bëri me dije se të gjitha të paraburgosurit që paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore do të zhvendosen nga qendra e paraburgimit të Durrësit drejt burgjeve të sigurisë së lartë.

K.B/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si e menaxhoi qeveria situatën e përmbytjeve?