DURRËS- Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj u la në qeli nga Gjykata e Durrësit. Ai doli sot para trupit gjykues për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa arresti shtëpiak u konfirmua edhe për shefen e Shërbimit Shëndetësor në burg, Ylfete Sema. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit më 13 janar.
Mjekja e burgut u la në arrest shtëpie pasi akuzohet se nuk e vizitoi Ndocin për gjendjen e tij shëndetësore por u bazua vetëm në fjalët e kryeinfermierit Aulon Çuko se ai kishte dhimbje të veshkave. Megjithatë pa e prekur pacientin e burgosur, i firmosi menjëherë letrat, brenda ditës, duke rekomanduar vizitë të Ndocit me një mjek kirurg. Kaq i duhej kryeinfermierit Çuko që të bënte në bllok letrat për shoqërimin e 4 të burgosurve, mes tyre edhe Ndocin.
Kryeinfermieri Çuku, përgatiti gjithçka dhe ia çoi urdhrin shefit të komanduar të policisë së Burgut, Dezdemont Pazaj, “por më parë, ia dërgoi edhe vetë drejtorit të burgut, Indrit Cërloj, i cili e miratoi pa vonesa lejen pa faktuar nëse mjekja i kishte bërë vizitë, dhe pa mbikëqyrur rregullat e shoqërimit.”
Vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Durrësit la në qeli ish-zv.shefin e Policisë së Burgut Dezdemon Pazajn dhe 2 prej efektivëve që kanë shoqëruar pa pranga Altin Ndocin ditën e arratisjes. Gjykata caktoi masën detyrim paraqitjeje për 3 efektivëte tjerët të cilët u larguan nga spitali për të shoqëruar të burgosurin tjetër pasi mori mjekim. Në arrest shtëpi ndodhet edhe kryeinfermieri Aulon Çuko dhe policja e burgut Violeta Uka, e cila në shkelje të ligjit, nuk njoftoi as Drejtorinë e Burgjeve, as policinë e Durrësit për lëvizjen e të paraburgosurve për në spital.
Altin Ndoci akuzohet si krahu i armatosur i organizatës kriminale të Çopjave në Elbasan, i dyshuar për vrasje, por komisioni i vlerësimit në burg, me firmë të drejtorit të shkarkuar dhe arrestuar tashmë, kishte gjykuar se 38-vjeçari nuk paraqiste rrezikshmëri për u arratisur. Pasi ka kërkuar të shkojë në tualet, Ndoci është arratisur nga kati i 3-të i repartit të Infektivit duke goditur 2 policët që e shoqëronin. Jashtë traut të spitalit të Durrësit e priste një automjet tip “Audi A7” me të cilin është larguar në drejtim të paditur.
Lajmi në përditësim....
Komente









ATY T KALBET
Përgjigju