Policia dhe Prokuroria e Elbasanit kanë në duar ekspertizën e një prej dronëve që sekuestruan pas arrestimit të dy shtetasve rus Svetlana Timofeeva e Mikhail Zorin dhe ukrainasin, Fedir Alpatov në uzinën e Gramshit. Sipas burimeve, nga kqyrja e dronit është zbuluar se në të kishte pamje të disa institucioneve dhe reparteve.

Konkretisht, të repartit RENEA, liqeni i Bovillës dhe repartit ushtarak pranë tij në Zall-Herr, rafineria e Patosit, si dhe disa objekte të tjera të rëndësishme ushtarake. Nga ana tjetër, hetuesit janë në pritje të përgjigjes së ekspertizës për një tjetër dron të sekuestruar, por edhe aparateve celularë dhe pajisjeve të tjera që iu kapën tre të arrestuarve, të dyshuar si spiunë.

Nga ana tjetër autoritetet ruse kanë kërkuar ekstradimin e shtetases së tyre, Svetlana TimofeevaNë kërkesën që ka mbërritur në Shqipëri nga Federata Ruse, përmes Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se Timofeeva kërkohet të ekstradohet pasi Moska e ka shpallur në kërkim për veprën penale të marrjes së paligjshme të informacionit që përbën sekret shtetëror, e parashikuar nga Kodi Penal rus. Gjykata e Qarkut Meshchansky në Moskë ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë në 25 gusht 2022. Por, Svetlana Timofeeva kërkon të mos ekstradohet drejt Moskës. Kërkesa e bërë nga pala ruse po shqyrtohet në Gjykatën e Elbasanit. Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Si ndodhi ngjarja?
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçarin ukrainas Fedir Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.

Më herët në dosjen e prokurorisë të siguruar nga Report Tv u zbardhur edhe rrëfimi i 2 ushtarëve shqiptarë në Gramsh, të cilët u sulmuan në uzinën Armëve me nga 2 shtetas rus dhe nga një ukrainas. Sipas dëshmisë së Aldo Bicit ata kanë ndjerë djegie të syve dhe trupit, marrje mendsh, djegie të gjoksit dhe supeve, por pavarësisht kësaj e kanë mbajtur personin deri në momentin e ardhjes së forcave të policisë.

 ‘Ndjemë djegie në sy, marrje mëndësh dhe djegie të gjoksit dhe supeve, por e mbajtëm shtetasin e huaj deri sa erdhi policia”, ka thënë Aldo Bici, njëri nga rojet që u përleshen me rusët.