TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e çështjes për avokatin Ulian Bajrami, i cili u arrestua në tetor 2025 pas një përplasje në sallën e gjyqit të Elbasanit me prokurorin Gjergji Ceka.

Ndaj avokatit ishte regjistruar procedimi për veprat penale ‘Kanosje për shkak të detyrës’, ‘kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit’ dhe ‘kanosjes së gjyqtarit’, por organi i akuzës ka kërkuar pushimin me argumentin se nuk u vërtetua që avokati të ketë konsumuar veprën penale të kanosjes së prokurorit.

Ulian Barjami u arrestua më datë 18 tetor pas një përplasje në sallën e gjyqit të Elbasanit me prokurorin Gjergji Ceka. Barjami u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pas pretendimeve se avokati kërcënoi në gjykatë prokurorin pasi përdori frazën ‘do të merrem personalisht me ty’.

Barjami u lirua nga qelia mbrëmjen e 20 tetorit dhe arrestimi i tij solli bojkot të seancave gjyqësore nga ana e Dhomës së Avokatisë për 5 ditë.