Dy persona që vidhnin me dhunë celularët qytetarëve të ndryshëm në qendër të Tiranës dhe në rrugët e kësaj zone, u arrestuan nga komisariati i policisë nr.1 në kryeqytet me akuzën e vjedhjes me dhunë në bashkëpunim.

Lutfi Marku, 34 vjeç dhe Urim Gjoka, 38 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan gjatë operacionit të koduar "Aparati 2016". Sipas burimeve të policisë, personat dyshohen se kanë vjedhur telefona çanta, kuleta dhe sende me vlerë personave të ndryshëm, kryesisht në rrugën “Ali Demi”, në rrugën e Elbasanit, pranë Piramidës, si dhe në rrugën “Bajram Curri”.

Nga hetimi i policisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë vjedhur vetëm brenda dy muajve, prill- maj, 6 persona të ndryshëm, kryesisht vajza dhe gra, duke iu marrë çanta celularë, apo kuleta me para.

Policia thotë se personat dyshohet të jenë autorë edhe të 20 rasteve të tjera. Të dy personat tashmë akuzohen për vjedhje me dhunë në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur.

Redaksia Online
(M.Ç/Shqiptarja.com)