TIRANE-Pas arrestimit të Arben Çukos për korrupsion në Burgje, pasditen e sotme është arrestuar edhe një tjetër ish-deputet i Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Ai nuk ka bërë rezistencë në momentin që është arrestuar në Lezhë, ndërsa REPORT TV transmetoi LIVE momentin kur u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai është prangosur nga RENEA pasditen e sotme së bashku me disa persona të tjerë, njëri prej të cilëve është Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit.
Arben Ndoka me vëllanë dhe personat e tjerë janë prangosur me akuzën e tjetërsimit të pronave në Lezhë në kuadër të dosjes ku u prangos në mars të këtij viti edhe kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj i zgjedhur nga PD, të cilin më pas Gjykata e Apelit në Shkodër e liroi nga burgu për të vijuar hetimet në gjendje të lirë.
Ish-deputeti Arben Ndoka akuzohet për falsifikimi të dokumenteve, vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në qarkun e Lezhës.
Gazetarët e Shqiptarja.com dhe Report Tv, Elton Qyno dhe Driçim Caka thonë se bazuar te burimet nga grupi hetimor, Ndoka së bashku me disa zyrtarë të tjerë në Lezhë kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te ‘Rana e Hedhun’ dhe në Kune nga ranishte në tokë arë dhe më pas i kalonin te te të afërmit e tyre. Ndërkohë që dje në kuadër të operacionit ‘Hipoteka’ sërish për tjetërsim pronash u arrestuan edhe disa zyrtarë të tjerë në Lezhë.
Por si u zbulua Arben Ndoka? REPORT TV mëson se ashtu si në rastin e ish-drejtorit të Burgjeve, gjatë përgjimeve të një grupi kriminal ka dalë emri i Arben Ndokës, i cili më pas është vendosur në përgjim duke zbuluar aferën që solli arrestimin e tij nga policia pas urdhrit të prokurorisë. Ish-deputeti ishte në përgjim prej disa muajsh për këtë çështje.
Dosja e tjetërsimit të pronave është nisur nga prokurori Anton Martini, pas transferimit të tij kaloi te Besim Hajdarmataj, ndërkohë që me transferimin edhe të këtij të fundit në Pogradec po e drejton Vladimir Mara te Krimet e Rënda. Në shtator të vitit 2015, Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit, pasi kishte një dënim në Itali.
Zhvillimet e fundit/ Lajmet orë pas ore pas arrestimit të ish-deputetit Arben Ndoka
22:30 Si u arrestua në lokalin e tij në Lezhë ish-deputeti i PS-së
Burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se Ndoka është arrestuar në lokalin e tij në qendër të Lezhës. Lokali ka qënë i mbyllur për shkak të disa rikonstruksioneve që po kryheshin. Lokali ndodhej në qendër të qytetit, pranë obeliskut.
19:30 Dy ish-deputetët e Partisë Socialiste në qeli VIP
Dy të arrestuarit e pasdites së sotme, ish-Drejtori i Përgjthshëm i Burgjeve Arben Çuko dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka do të qëndrojnë në qeli të ndara VIP të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Qelia VIP, e cila ndodhet në ambientet e Drejtorisë së policisë së Tiranës, shërben për qëndrimin e zyrtarëve të lartë, deri në momentin e daljes përballë Gjykatës
19:05 Informacioni zyrtar i Policisë së Shtetit për arrestimin e Arben Ndokës
Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhrin e arrestit për shtetasin Arben Ndoka, 46 vjeç, nga Lezha, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”.
Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.
Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.
Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim.
Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.
Abuzime troje shtetit??? Po zaptime e vjedhje prona private??? Apo pronat private s kan rendesi??? le te vriten njerzit per pronen e vet
PërgjigjuKeshtu i pafshim shumicen e politikanve. Ne hekura dhe te dhjere nga frika si puna e ketij. I keni pire gjakun popullit gjithe keto vite o zullumqare.
PërgjigjuNuk e kuptoj se perse duhet te dalin forcat speciale per te arrestuar nje njeri qe ka bere/votuar ligjet dhe gjithmone i ka shkelur??!
Përgjigju