Në fshatin Zall në Fushë Krujë është zbuluar një arsenal armësh dhe kanabis, të cilat i përkasin Ylli Zallës, i cili është në kërkim që prej nëntorit.

Në shtëpinë e 49-vjeçarit u gjetën 3 armë zjarri, 24 kallëpe tritol, 11 granata e 6 kg kanabis. Gjithashtu edhe 9000 fishekë, 2 silenciatorë dhe uniforma policie.

Armë të tjera të sekuestruara janë sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 27 djegore.

Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të tjerëve që mund të jenë të përfshirë. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Zalla u dyshua si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 në Rinas ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Asokohe njëra nga pistat ishte se autorët i kishin siguruar armët në bazën e tij, ku u gjet sërish arsenal, por më vonë ekspertiza nuk e lidhi me ngjarjen.

12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:43
VIDEO/ Momenti kur policia mësyn në kasollen e kthyer në depo armësh

Kjo kasolle në Zall të Fushë Krujës është vendi ku Ylli Zalla fshihte me kujdes arsenalin e tij të armëve.

Nga pamjet, shihet momenti teksa policia hyn dhe brenda gjen një mori armësh. 24 kallëpe tritol, 11 granata, 9000 fishekë, 2 silenciatorë, 6 kg kanabis dhe uniforma policie, mes të tjerash.

Policia ka zhvilluar edhe kontrolle me qen, ndërsa vijojnë kërkimet për 49-vjeçarin, prej të cilit s’ka asnjë gjurmë që prej nëntorit të vitit që lamë pas.

Ora 13:32
Mjeshtër i prodhimit të bombave artizanale dhe lidhjet me ISIS, kush është Ylli Zalla që iu gjet arsenal armësh! Në kërkim që pas atentatit në Rinas

Ylli Zalla, 49 vjeç, është një person me precedentë të mëparshëm dhe emri i tij është i lakuar edhe në ngjarje kriminale. Ai rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua një tjetër arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe miku u tij, Muçi Shaljani. Që prej nëntorit 2025, prej tij nuk ka asnjë gjurmë, por grupi hetimor përjashtoi çdo lidhje mes tij dhe grupit kriminal që organizoi eliminimin e krahut të djathtë të Emiljano Shullazit.

Atij iu gjetën në banesë 3 kallëpë tritoli, 12 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë, 3 ndezës granatash, kapsolla detonatorë me 5 celularë, 2 automatikë, 2 pushkë, 8 krehra, pjesë armësh, 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 2 kg e 25 gramë kanabis sativa. Fillimisht u dyshua se autorët e atentatit në Rinas mund t'i kishin siguruar armët në këtë banesë, por ekspertiza e përjashtoi këtë pistë

Ylli Zalla nuk është emër i panjohur për policinë. 12 vjet më parë është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.

Ylli Zalla me armë