TIRANE- Sensibilizimi që po bëhet përgjatë muajt tetor duket se ka arritur qëllimin, duke ndërgjegjësuar gratë dhe nënat për kryerjen e kontrollove për kancerin e gjirit. Në poliklinikën qendrore sot është kryer mamografi për të gjitha arsimtaret, por pa lënë mënjanë edhe gratë e tjera. Kamera e “A1 Report” ka ndjekur nga afër interesimin që të gjitha këto gra kanë treguar për bërjen e mamografisë.
 
Mjeku Edmond Aliaj tregon se ka fluks të madh të grave që duan të bëjnë mamografi
 
“Do bëhen këto vizita dhe mamografi, dhe do t’i verifikojmë të gjitha. Presim të vijë lista e tyre se s’ka ardhur lista e shkollës. Do vijnë gjithë arsimtaret, gjithë ky fluks i madh nuk përballohet, pasi është rrezatimi e të gjitha”, tha Edmond Aliaj.
 
Në çdo ditë të javës të gjitha gratë dhe nënat që kanë dëshirë dhe nevojë për mamografi mund të drejtohen në qendrat që e ofrojnë si Onkologjiku, Poliklinika Qendrore, Materniteti, etj; në çdo orë pasi ky shërbim ofrohet me orar të zgjatur dhe se institucionet përkatëse punojnë me dy turne.

Mamografi falas gjatë gjithë ditës për mësueset e Tiranës
Të gjitha mësueset mbi 50 vjeç në qytetin e Tiranës do të kenë mundësi të kryejnë mamografi falas në Poliklinikën e Specialiteteve nr 3 në Tiranë përgjatë gjithë ditës. Ministria e Shëndetësisë dhe Autoriteti Shëndetësor Rajonal kanë vendosur që gjatë muajit Tetor, që përkon me sensibilizimin e popullatës kundër kancerit të gjirit, të kthejnë me dy turne orarin e mjekëve imazheristë në mënyrë që të kryejnë një numër sa më të lartë të mamografive, falas për popullatën por në veçanti për të gjitha arsimtaret e kryeqytetit.
 
“Së fundmi ne nënshkruam një marrëveshje me Drejtorinë Arsimore të Tiranës e cila ka për qëllim realizmin e ekzaminimeve të mamografisë falas, për të gjithë mësueset mbi 50 vjeç në qytetin e Tiranës. Kjo marrëveshje synon kontrollin dhe ekzaminimin e arsimtareve në Qendrën Shëndetësore Specialitet Nr.3, jashtë orarit zyrtar të funksionimit të këtij shërbimi. I kemi kërkuar DAR, Tiranë ndërtimin e një grafiku sipas shkollave në mënyrë që mësuesit të mos presin në radhë për të kryer ekzaminimin, por që orari i tyre të jetë i prenotuar ditë më parë”, ka pohuar Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Edmond Stojku.
 
Gjatë këtyre ditëve, departamenti i Promocionit të ASHR është duke kryer një fushatë të gjerë sensibilizimi në të gjitha shkollat e kryeqytetit mbi sëmundjen dhe pasojat e rënda të saj. Nga ana tjetër, drejtori i ASHR-së ka ftuar të gjitha zonjat e kryeqytetit të kryejë ekzaminimet në mënyrë që sëmundja të kapet në stadet e para, pasi mundësia e shërimit është më e madhe. Sipas tij, shërbimi i mamografisë me dy turne nuk të jetë vetëm për mësueset e kryeqytetit, por për çdo qytetare tjetër e cila dëshiron të kryejë vizitat dhe ekzaminimet përkatëse.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)