TIRANE - Arta Vorpsi është betuar ditën e sotme në një formë të pazakontë si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përpara noteres Miranda Xhemalçe, në përgjigje të refuzimit që kreu i shtetit Ilir Meta i bëri dje për organizimin e ceremonisë së betimit mbi kushtetutë në ambientet e Presidencës. Vorpsi, anëtarja e zgjedhur automatikisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pasi kreut të shtetit i kaloi afati ligjor prej 30 ditësh për të zgjedhur anëtarin e dytë, pas Besnik Muçit, ja ka dërguar me postë Presidencës betimin e saj në një deklaratë të noterizuar, dhe ka nisur menjëherë nga puna duke shkuar ditën e sotme në Gjykatë Kushtetuese.  Deri këtë të enjte Arta Vorpsi mbante postin e këshilltares ligjore të ish-gjyqtarit kushtetues, Gani Dizdari.

Veç presidentit Vorpsi i ka dërguar një kopje të deklaratës Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe një kopje Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se nuk është ende e qartë se çfarë vlere juridike mund të ketë një akt i tillë.

"Unë e nënshkruara Arta Vorpsi në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të emëruar, bazuar në vendimin nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, botuar në Fletoren Zyrtare nr.151/2019 si dhe në nenin 8 të ligjit nr. 8577/2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi kushtetutë.

"Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mua do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë". Kjo deklaratë hartohet në 4 kopje, 1 kopje mbahet nga deklaruesi ndërsa 1 kpje i dërgohet presidentit të Republikës, 1 kopje i dërgohet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe 1 kopje i dërghet Gjykatës Kushtetuese", përmbyllet deklarata e Arta Vorpsit.

Deklarata e Arta Vorpsit

Deklarata e Noteres Miranda Xhemalçe

Fatura postare qe dokumenton qe kopja e betimit te Vorpsit i eshte derguar presidentit Ilir Meta

Nga ana tjetër neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton qartë se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese fillojnë detyrën vetëm pasi bëjnë betimin para presidentit të Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që nuk përcakton një opsion të veçantë për raste të tjera.

"Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Formula e betimit është: Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese fillon nga data e betimit dhe mbaron në datën e njëjtë të atij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij", thuhet në nenin 8 të Gjykatës Kushtetuese.

Neni 8 i Kushtetutes 

Presidenti Ilir Meta futi dje në në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese duke dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vendin që ishte zënë nga Arta Vorpsi para përfundimit të afatit 30 ditor të presidentit Ilir Meta për t'u shprehur mbi listën e propozuar nga KED.

Pas përfundimit të afatit, Vorpsi e cila kryesonte listën e pikëzuar u shpall gjyqtare e Kushtetueses por për të nisur detyrën do duhet të betohet para presidentit i cili u shpreh qartë ditën e djeshme se nuk do të organizojë ceremoninë e betimit për të. Meta tha se KED nuk mund t'i vendosë afate presidentit, duke e quajtur kreun e saj Ardian Dvorani mafioz dhe të përdorur politikisht.

Zyra e noteres ku u betua Arta Vorpsi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
Betimi i Arta Vorpsit/ Noterja për Report Tv: Kam bërë vetëm noterizimin e deklaratës

1573735243_noteria.jpg

Vetëm pak orë pas publikimit të betimit të pazakontë të bërë nga Arta Vorpsi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, noterja Miranda Xhemalçi ka reaguar për gazetarin e ReportTV Merin Maçi ku ka deklaruar se përpara zyrës së saj noteriale është bërë vetëm noterizimi i deklaratës së zonjës Vorpsi dhe jo deklaratat e saj e betimit.

Ora 12:04
Pas betimit tek noterja, Arta Vorpsi nis punën dhe shkon në Gjykatën Kushtetuese

Pas betimit mbi kushtetutë para një notereje, Arta Vorpsi është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese ditën e sotme. Ajo ka nisur kështu punën si gjyqtare, duke shpërfillur presidentin Ilir Meta që nuk kishte ndërmend të organizonte ceremoni betimi për anëtaren e re të Kushtetueses që u përzgjodh automatikisht nga KED pasi kreut të shtetit i kaloi afati ligjor prej 30 ditësh për të zgjedhur anëtarin e dytë, pas Besnik Muçit për në Gjykatën Kushtetuese. 

“Jam shumë i qartë për këtë çështje. Kuvendi është i mirëpritur të komunikojë zyrtarisht me institucionin e Presidentit, dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar në respekt të kushtetutës dhe detyrimeve kushtetuese dhe kjo është një çështje e mbyllur dhe shumë e qartë”, tha Meta duke lënë të kuptuar qartë se nuk e njeh Arta Vorpsi edhe pse zgjedhja e saj është botuar në fletoren zyrtare.