Arthur Schnitzler“Ëndërr” një
eksplorim surreal i martesës

Arthur Schnitzler“Ëndërr” një<br />eksplorim surreal i martesës
Një eksplorim surreal i përmasave më intime të martesës. Ky është thelbi i romanit “Ëndërr” i Arthur Schnitzler, botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese Pegi me përkthimin e Afrim Koçit.
Ëndrra dhe realiteti pështjellohen në këtë novelë enigmatike, e përqendruar në misteret e erosit dhe të kërkimit të kënaqësisë së kulluar. Pasi e shoqja i rrëfen fantazitë e saj seksuale me një tjetër burrë, doktor Fridolini, personazhi kryesor, endet nëpër rrugët e Vienës e bëhet pre ngjarjesh gati të pabesueshme që ndodhin jashtë vullnetit të tij, thuajse si në zhgjëndërr.

Historia kulminon në një ballo me maska, një situatë e mistershme ku përzihen individualizmi i fshehur, seksi dhe rreziku. Schnitzler-i, i përcaktuar edhe si “Frojdi i letërsisë” rrëmon në psikologjinë e personazheve të veta duke u prirë atyre udhën drejt një hapësire ku mendimet më të fshehta, dëshirat dhe ankthet gjejnë shtegun për t’u shpalosur tërësisht e paturpshmërisht.

Duket se autori pyet veten se si dy njerëz të zgjuar, tërheqës dhe të ndjeshëm mund të ndajnë një shtrat, një fëmijë dhe një jetë për vite me rradhë kur dëshirat e zjarrta erotike, të  drejtuara tjetërkund, janë të pashmangshme. Ndoshta përgjigja qëndron te gënjeshtra, në një balancë sekretesh midis dy të huajsh; e megjithatë vullneti i tyre për të hetuar fantazitë e kaluara dhe të tashme të njëri-tjetrit e bën martesën e tyre të pazakontë. Nëse ky origjinalitet e afron apo jo shkatërrimin e çiftit, kjo mbetet për t'u zbuluar. Novela “Ëndërr” ka frymëzuar regjisorin e njohur Stanley Kubrick për të realizuar filmin e bujshëm Eyes ëide shut me aktorët Nicole Kidman dhe Tom Cruise.

Arthur Schnitzler (1862 -1931) ka qenë shkrimtar, dramaturg dhe mjek austriak me origjinë hebreje. Karrierën e nisi si mjek për ta lënë më pas atë profesion e për t’iu kushtuar tërësisht shkrimtarisë. Është ndër të parët që përdori “monologun e brendshëm” për të përshkruar fillin e mendimeve të  personazheve të tij.

Në gjithë veprën e Schnitzler-it dallohet gjurma e pashlyeshme e atit të psikanalizës Sigmung Freud-it, me të cilin e lidhte edhe një miqësi e ngushtë. I ndikuar prej tij, Schnitzler-i ka aftësinë të thellohet në hetime të holla psikologjike, mbështetur në hirin e ironisë dhe skepticizmit, gjithnjë pa i lënë asnjë shteg sentimentalizmit. Veprat e tij shpesh janë kontroversiale, sidomos për përshkrimin pa doreza të seksualitetit dhe ndikimit të tij mbi përditshmërinë tonë. Ka shkruar poezi, drama, novela dhe në secilën gjini ka qenë një individualitet krejtësisht i dalluar.

Fräulein Else, Komödie der Verführung, Theresa, Flucht in die Finsternis janë disa nga titujt e tij më të njohur nga publiku mbarëbotëror. Kryevepra e tij, romani i shkurtër “Ëndërr”, përfaqëson edhe një nga shembujt më të arrirë të një historie-alegori. Botuesi i tij pretendon se “Ëndërr” është një përfaqësim i vërtetë i jetës personale dhe kohës së Schnitzler-it. I martuar dhe me dy fëmijë, ai njihej për përndjekjen e pangopur ndaj grave të reja. Pas vdekjes, dyshimit për moralitet të dobët, iu shtua dënimi i veprës së tij nga regjimi nazist.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës