Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, nismës për të dhuruar vullnetarisht gjak i janë bashkuar figura të njohura të skenës dhe ekranit, si Valbona Selimllari, Mirela Milori, Rudina Dembracaj, etj. Ata kanë dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri një apel të fortë në lidhje me dhurimin vullnetar që është gjë shumë e rëndësishme për jetën e të prekurve nga kjo sëmundje.
“Gjatë fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë, arritëm në 2200 dhurime vullnetare, që mbulojmë një pjesë të konsiderueshme të nevojave për fëmijët talasemikë, në këtë periudhë të vështirë të vitit. Shqipëria ka 10.8 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë ndaj gjej rastin përsëri, bashkë me miqtë tanë artistë të bëjmë një apel për qytetarët, të dhurojnë gjak. Sot mbyllim një fushatë intensive, ku dhurues nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, njerëz të zakonshëm, dhurues periodikë por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, artistë, politikanë dhe sidomos të rinjtë, u bashkuan në nismën tonë në ndihmë të fëmijëve talasemikë”, tha Manastirliu.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, nëse vijojmë me këtë ritëm dhurimesh vullnetare, me të gjitha gjasat, kjo verë nuk do të ketë vështirësi për sigurimin e gjakut për fëmijët talasemikë, për të bërë një jetë sa më normale. Me një kalendar të përcaktuar përgjatë gjithë verës, sidomos gjatë muajve Korrik-Gusht, do të vijohet me dhurimet vullnetare, për të garantuar plotësimin e nevojave me gjak për fëmijët talasemikë dhe për këdo që ka nevojë.