Artistët: Të ruhet godina e TK
me fondet e gjithë shqiptarëve

Artistët: Të ruhet godina e TK<br />me fondet e gjithë shqiptarëve<br>
Artistët e drejtuar nga sindikata e tyre janë organizuar sërish për të kërkuar dialog e transparencë për godinën e Teatrit Kombëtar dhe për Projektligjin 2018 në një dëgjesë publike të organizuar në Universitetin e Arteve. Kanë këmbëngulur që godina e teatrit të mos shembet, për të ndërtuar një të ri. Në dëgjesën publike merrnin pjesë edhe deputetë të parlamentit nga Komisioni i Edukimit të cilët dëgjuan konkretisht ankesat dhe shqetësimet e artistëve, si Luciano Boci, Nora Malaj dhe Kejdi Mehmeti.
Artistët kanë bërë një listë me kërkesa konkrete: nëse shteti nuk ka fonde për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, ata propozuan që Teatri të ndërtohet me fondet e të gjithë shqiptarëve, duke hapur një llogari bankare për këtë qëllim. Regjisori Kastriot Çipi është shprehur se “sipas kryetarit të bashkisë teatri do të jetë në 3000 metra katrorë, në këtë sipërfaqe që është sot. Por përmes të dhënave që ofron faqja e Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor sot sipërfaqja e Teatrit Kombëtar  është 6000 metra katror. Paska metra tepër Bashkia e Tiranës që mund t’ia fali një privati?”, pyeti Çipi. Ndërsa aktori Arben Derhemi është shprehur:

Artistët kërkojnë transparencë edhe për projektligjin 2018
Ndërsa Minstria e Kulturës ka deklaruar se e ofron dialogun për Projektligjin përmes një konsultimi online, aktori Alert Çeloaliaj duke iu referuar kësaj deklarate shprehet “ne nuk e kemi keqkuptuar ligjin, jemi të gatshëm të dalim publikisht të debatojmë për këtë çështje e të bëjmë transparent gjithë projektin e ministrisë për amendimin e ligjit”.

Anxhela Çikopano tha se “një pikë kyçe e projetkligjit të ri që është mbajtur e fshehur dhe mjegulluar enkas në debate publike televizive, është se për herë të parë të parashikohet që institucionet publike dhe private financohen njësoj nga shteti”.

Regjisori Kastriot Çipi në intervistën për “Shqiptarja.com” rrëfen në mënyrë të përmbledhur të gjitha çështjet për të cilat është debatuar dje në dëgjesën publike.   

Cili ishte qëllimi i dëgjesës së sotme?
-Qëllimi kryesor ishte sensibilizimi i ligjvënësve me situatën e krijuar, si pasojë e mungesës së transparencës dhe dialogut me komunitetin nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Tiranë për çështjet shumë të rëndësishme të Projektligjit “Për disa ndryshime në Ligjin për Artin dhe Kulturën” dhe projektin e ndërtimit apo rindërtimit të Teatrit Kombëtar.

Në këtë dëgjesë nuk ishin aktorët e njohur si Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Laert Vasili, që i dhanë zë protestës tuaj të një muaji më parë. Pse nuk ishin të pranishëm sot?
-Nuk e di pse munguan sot Robert Ndrenika dhe Bujar Asqeriu dhe nuk mund të spekulloj. Laert Vasili ka shpallur kandidaturën për drejtor të Teatrit Kombëtar dhe i ka ngrirë marrëdhëniet me SASE.

Është folur për një projekt restaurimi të Teatrit Kombëtar, çfarë dini ju për këtë projekt, keni siguruar shkresën e ndonjë vendimi ose ndonjë maketi të rikonstruksionit, për të cilin është folur?
-Duke perifrazuar z. Veliaj në deklarimet e tij në emisionin “Opinion”, nuk bëj pjesë në grupin e vogël të artistëve që “e kanë ngjyer gishtin në kekun e papjekur”. Kemi kërkuar publikisht dhe shkresërisht transparencë, por deri tani kemi marrë vetëm refuzim dhe ofendime si përgjigje. Megjithatë, është e qartë se idea e z. Veliaj është që ta përgjysmojë truallin e Teatrit Kombëtar nga 6 në 3 mijë m2 dhe t’ia dhurojë këtë sipërfaqe, së bashku me 1.500 m2 aktualisht në administrim të Bashkisë Tiranë, një biznesi privat. Kjo është një aferë korruptive dhe Teatri Kombëtar nuk mund të përdoret për ta mbuluar atë.

Ndërkohë shihen disa projekte në tavolinë me vizion të një teatri modern. Shpresoni se do të arrihet mbrojtja e godinës, kur edhe vetë artistët janë tërhequr, një pjesë e tyre, nga protesta?
 -Ajo që ju e quani teatër modern, për mua është një monstër betoni dhe qelqi, që përdhos historinë e teatrit shqiptar. Nuk më bën shumë përshtypje indiferenca dhe konformizmi i një pjese të artistëve. Janë po ata që kanë heshtur në vitin 2002, kur u propozua për herë të parë kjo aferë korruptive, nga ish-kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama, siç kishin heshtur edhe në vitin 2000, kur u miratua Ligji për Teatrin, i porositur nga ish-ministri i Kulturës, Edi Rama. Si në vitin 2000, si në vitin 2002, artistët që protestuan, fituan sepse patën përkrahjen e publikut. E vetmja shije e keqe në këtë mes vjen nga fakti se fitues janë dhe do të jenë sërish edhe ata artistë që i servilosen pushtetit.

Sindikata trajtoi edhe disa aspekte të Projektligjit, cilat janë ato që prekin më shumë interesat e artistëve?
-Projektligji nuk prek interesat e artistëve, por interesat e artit, pra të publikut dhe shoqërisë. Nuk preken as pagat, as vendet e punës. Ajo që preket është liria krijuese e artistit dhe autonomia e teatrove.

Është folur për një përçarje të sindikaktës së artistëve, pse ka ndodhur kjo. Sa është përqindja e artistëve që përfshihet në sindikatë?
-Një pjesë e artistëve të teatrit janë anëtarë të sindikatave që inkuadrohen nga Konfederatat e njohura sindikale, BSPSH dhe KSSH. Vitin e kaluar është krijuar Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, ku bëj pjesë edhe unë. Një pjesë tjetër e artistëve të teatrit nuk bëjnë pjesë në asnjë sindikatë. Për dy çështjet që na shqetësojnë sot, midis këtyre sindikatave nuk ka asnjë divergjencë. Sot, psh, na u bashkuan edhe artistët e Teatrit “Petro Marko” Vlorë, që janë të inkuadruar në KSSH. Natyrisht do të ishte më mirë të ishim të gjithë anëtarë të së njëjtës sindikatë, por nga ana tjetër, nuk më takon mua as të detyroj, as të injoroj dikë që mendon ndryshe nga unë.

Malaj: Çështjen e Teatrit Kombëtar, s’e shoh vetëm si cështje të artistëve
Deputetet e opozitës që ishin të pranishme në dëgjesën publike Nora Malaj dhe Kejdi Mehmetaj këmbëgulin që godina e Teatrit Kombëtar të ruajë identitetin. Nora Malaj shprehet se “Çështjen godinës së Teatrit Kombëtar, personalisht e kam parë si një çështje kombëtare, dhe nuk e kam parë fare si çështje të individëve apo vetëm të aktorëve. Së pari, Teatri Kombëtar është pjesa ku ne jemi rritur. Aty kanë luajtur personalitete që kanë bërë emer dhe i kanë lënë kulturës trashëgimi në 75 vitet e saj. Së dyti, godina i përket një ansambli të ndërtesave ku kalohet historia e Shqipërisë”, tha Malaj, duke shtuar se: “Mua më vjen keq për metamofozën që ka pësuar qeveria, se më kujtohet që kryeministri kur ishte kryetar bashkie ka thënë që “të kthehemi me identitetin” dhe dhe një nga gjërat më të mira që bëri ishte rivitalizimi i fasadave që u mbështet nga qytetarët dhe mua më pëlqeu dhe e kam mbështetur”, tha Malaj.

Mehmeti: Mungesa e transparencës, problem serioz i kësaj qeverie
Ndërsa Kejdi Mehmeti është shprehur se “-Mendoj se në radhë të parë është mungesa e transparencës, është problemi serioz i kësaj qeverie, jo vetëm me lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar, se çfarë do të ndodhë me hapësirën e tij, por me të gjitha projektet, si me çështjen e detit e më radhë. Kemi dy anë  të medaljes; në një njërën anë ministrja e Kulturës thotë  se ende nuk e dimë se çdo të bëhet dhe nga ana tjetër kemi kryetarin apo dhe nënkryetarin e bashkisë që na japim mëpërmjet mediave planin e Teatrit Kombëtar duke na thënë se është mirë që gjysmën e tij ta marri një privat për të na ndërtuar teatrin ngjitur kullës që atij i lihet ta bëjë. Ne nuk flasim për hipoteza, por për elementë që janë deklarata publike nëpërmjet përfaqësuesve të qeverisjes locale apo qendrore. Unë jam e bindur se qytetarët janë me aktorët, dhe është e padyshimtë që mund ta pengojnë qeverinë që të ndërmarri hapa”.

 

d.gj/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi