I pari që doli në konferencë për shtyp, lidhur me lajmin e dhënë nga SPAK për Vlora Hysenin, ishte pikërisht kreu i përjetshëm i Partisë Demokratike Sali Berisha. Doli Saliu, dhe foli ashpër, prerazi, dhe kerkoi shkarkimin edhe të Edi Ramës. Foli ai për “rëndësinë e sherbimit sekret të një vendi, për punën kriminale të Vlora Hysenit”, por edhe për plot gjëra të tjera. Dukej sikur Saliut, i kishte ardhur “zari tek këmba”.

Por e mendoni dhe kujtoni paksa, SHIK-un e Famshëm të Sali Berishës ? Sepse i Saliut ishte. SHIK-u i tij, i kryesuar nga Gazidede, u mbush qysh ditët e para të krijimit dhe funksionimit, me arsimtarë, drejtorë shkollash, druvarë, mediokër, burgaxhinj, etj… Mjafton të kishte një letër bakalli, ku thuhej se “ishte demokrat i oreve të para, kishe bërë burg” edhe pse kishte vjedhur, dhe kaq mjaftonte të bëheshe ‘shikas me xhup të zi lëkure”. Ata bënin ligjin. Vidhnin vota, arrestonin njerez, merrnin njerëz nga rruga i fusnin në makina me xhama të zinj, i rrihnin, apo dhe i zhduknin.

Ky ishte SHIK-u i Sali Berishës. Kishte edhe më tej. Një Kolegun tim Th. M. e morën me dhunë 4 shikas të Saliut në 1996, e futën në makinë, e kërcënuan  dhe i kujtuan rrugës se “kishte bërë shkrim ndaj SHIK-ut dhe kreut saj”, dhe të mos kishte qenë ish-deputeti PD-së F.Xh, (që u telefonoi) ai do ta kishte pësuar keq. Ky ishte SHIK-u i Partisë Demokratike,  një strukturë që as punonte për “sherbimin secret”, dhe as punonte për sigurinë kombetare (që e ka aq shumë merak Sali Berisha), por punonte për interesat e kupolës qeverisëse të PD.

Por kulmimantja e atij SHIK-u të Saliut, ishte fjalimi skandaloz i ish-kreut të tij Gazidede në Parlament, ku doli hapur kundër nderkombëtarëve, SHBA, OSBE, ODHIR dhe Bashkimit Europian, duke e futur vendin në kolaps institucional. Ndaj duke dëgjuar Sali Berishën, tek fliste për “cënimin e sigurisë kombetare, dhe si rastin e vetëm në botë ku kreu sherbimit sekret arrestohet”, desha ti kujtoj se, në çdo vend demokratik, ndodh që shefi dhe sheaf të shërbimit inteligjent të hetohen dhe arrestohen.

Mjafton që punonjësit e Sherbimit Sekret, të mos sillen me qytetarët si “kapo rrugësh” apo si ‘vegla qorre të politikës”. Kjo natyrisht nuk ka ndodhur kurrë në kohën e Edi Ramës. Ky është ndryshimi i madh, ky është fakti që nuk ka nevojë për koment dhe trillium mediatik dhe politik. Edi Rama nuk mbron askënd kur shkel ligjin, ndryshe nga ti Sali që i mbaje me pekule dhe i dekoroje shikasit e tu. Ndaj, aman Sali, vetëm për shërbimin sekret, mos fol, se edhe sot e kësaj dite u dridhet “buza” shqiptareve nga xhupzinjtë e SHIK-ut tënd./Javanews