Një opozitë e përgjegjshme, konstruktive, e moralshme, e denjë, e aftë dhe frymëzuese, gjithmonë kërkon zgjedhje të parakohshme. Gjithmonë ndjehet e gatshme për tu përballur politikisht me pushtetin, pasi ajo është gjithmonë në kërkim të pushtetit. Kjo ndodh vazhdimisht në vendet e lira, demokratike, ku opozita bën betejat e saj në institucione, madje edhe në rrugë, por kur nuk ka “damka” nga pas.

Dua të them, kur nuk akuzohet lideri i saj, dhe jo vetëm, për korrupsion apo dhe vepra të tjera penale.

Në Shqipëri, opozita aktuale po lufton maksimalisht të mos ketë “rivalë” në llogoren e saj, dhe shtyn dhe injoron çdo parti të vjeter dhe të re opozitare, që qaset apo rreket t’i japë asaj, mendime dhe leksione elektorale.

Në Shqipëri, nuk dihet akoma dhe sot, pse PD-ja ka marrë rolin dhe stafetën e “kryesimit të opozitës”, edhe pse ka humbur nja 10 palë zgjedhje pas 2013, edhe pse shumë nga drejtuesit e saj përfshi edhe kreun e PD, janë sot me dosje në SPAK dhe GJKKO. Ka të paktën 4 vjet që Partia Demokratike kërkon “qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme”.

Të parën, qeverinë teknike, e provuam, dhe dihet se “si vajti ajo punë”. U bënë ministra njerëz pa kurrëfarë CV-je, të ardhur nga selia blu, për të qenë titullarë dikasteresh, duke bërë fushatë edhe në zyrat e shtetit. Dihet pastaj humbja e thellë që pësoi opozita, edhe pse kishte deri ditën e fundit të fushatës ministrat e saj në atë atë qeveri.

Dhe ngrihet sërish tani, dhe kërkon (me sebepin e problemit që ka Belinda Balluku) sërish “qeveri teknike”. Po mirë, le ta provojë edhe njëherë, le ti plotësohet edhe njëherë kërkesa e saj, por kam bindjen e plotë se, humbja do të jetë edhe më e thellë se e 11 Majit. Një opozitë e paqartëzuar mbi problemet e veta, një opozitë e shkërrmoqur strukturalisht prej 10 vitesh, një opozitë që nuk arrin të mbledhë në sheshe dhe bulevarde as 10 per qind, të elektoratit të saj kur proteston, apo dhe një opozitë që nuk ka arritur të sigurojë deri sot mbështetjen e duhur nderkombetare, nuk mund të besosh se fiton zgjedhjet.

Qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme? Me këto 2 kerkesa të stërpërsëritura, Sali Berisha po mundohet të mbajë pranë vehtes dhe partisë tij, edhe ata dhjetra mbështetës që besojnë akoma se “ai është dielli, hëna, dhe njeriu që do t’i çojë ata drejt pushtetit”.

Por a mjafton kjo? Natyrisht jo. Të shkosh drejt pushtetit, do të duhet të forcosh partinë, strukturat, programin, idetë dhe mendimet e çdo anëtari, do të duhet të ftosh dhe të pranosh rreth vehtes, edhe ata që kanë mendimin ndryshe nga ty, do të duhet të sigurosh mbështetje maksimale nderkombetare, do të duhet të pastrosh partinë nga të akuzuarit dhe të hetuarit për korrupsion, do duhet të ringjallësh shpresën dhe besimin tek baza e zhgënjyer, etj.

Pra do të duhet punë e madhe, dhe vepra të mëdha, larg propogandës bajate, larg makinacioneve dhe mashtrimeve që janë provuar dhe të kanë sjellë dështime në fushata elektorale. Ndaj them, që opozita të tregohet e kujdesshme kur kërkon, kur dikton, kur ofron, pasi realiteti në terren është krejt ndryshe nga sa përpiqet ta paraqesë para nesh Doktori i PD./Javanews