As më shumë dhe as më pak, gjithë rrugëtimi 35 vjeçar i politikës shqiptare, mund të përmblidhet në dy fjalë të vetme, pazare dhe skenare. Kjo ndodhi në 1991, 1992, 1996, 1997, dhe ka vazhduar deri mbrëmjen e kaluar kur opozita braktisi sallën, dhe Parlamenti zgjodhi me 85 vota Avokatin e Popullit. Kështu ka qenë, pazare për krijimin e PD, pazare për emrat e ministrave të qeverisë “Meksi 1” (ku shumica u përzgjodhën në bordumin e një ambasade mike në Tiranë) pazare për zgjedhjet, pazare dhe skenare në vite për gjetjen e emrave për presidentë, për kryeprokurorë të përgjithshëm, e të tjera e të tjera. Nuk kanë të sosur pazaret e politikës.
Nuk sosen as skenaret e dala nga selitë e partive politike. Në rast se do të bënim bilancin e pazareve, skenareve dhe kulisave në 35 vjet “demokraci”, do të thonin se, politika shqiptare nuk ka qenë aspak e denjë për të pretenduar fronin në KiE, NATO, apo dhe BE. Në çdo rast debate, ngërçi, apo dhe beteje verbal dhe fizike mes kundershtarësh politike, është dashur një nderhyrje ambasadorësh.
Eshtë dashur ardhja e ambasadorit amerikan, anglez, Italian, apo gjerman, që të sheshonte sherret dhe mosmarrëveshjet mes bajraktarit të politikës “djathtiste” dhe krahur kundershtar. Kemi 35 vjet,që presim në zyrat e partive konsuj, ambasadorë, thërrasim komisionerë nga KiE, BE, NATO, etjjjj, për të zgjidhur sherret e politikës. Kurrë nuk kemi treguar, dhe nuk jemi treguar po aq dinjitozë, dhe “hundëpërpjetë” sa jemi në selitë e partive, me ambasadorët e huaj të cilët kanë ardhur, kanë folur, kanë vendosur, dhe pastaj janë larguar duke na paralajmëruar. Pikërisht atëhere jemi detyruar të ulim tonet, të biem në ujdi, dhe të firmosim dhe votojmë ligjin, apo emrin për të cilin kemi debatuar me njëri-tjetrin.
Rasti më i fundit me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, tregoi pafytyrësinë e opozitës, deputetëve të saj, dhe kryetarit të përjetshëm Berisha. I dhanë firmat, e pekulepsën me premtime, dhe pastaj i thonin në Parlament “jooo, nuk votojmë ne lepurin e Surrelit”. Pra skilet e SHQUP-it, nuk do të votonin “lepurin e Surrelit”, pasi dukej sheshit se ishin pridhur në pazare. Berisha ndryshoi mëndje, por ndryshoi edhe skenarin.
Me gjoja “ditën festive të themelimit të PD”, ai urdhëroi deputetët “ikni nga Parlamenti, dhe ejani të gjithë në seli, kemi festën”. Natyrisht PS dhe Parlamenti e kishin votuar qysh paradite rendin e ditës, dhe bazuar edhe në firmat e 35 deputetëve të PD, e votuan Endrit Shabanin me 85 vota që kishin në sallë, duke e bërë Avokat të Popullit. Pra, edhe kjo histori mbaroi, seanca u mbyll, festa e themelimit PD u bë, dhe Berisha nisi nga mbrëmë avazin e vjeter, duke akuzuar shumicën parlamentare.
Po pse kështu do të ecim edhe për 35 vite të tjera ne, duke u zvarritur pas kësaj kaste të urryer politikanësh, të cilët e kanë marrë peng të ardhmen, dinjitetin, e imazhin e vendit ? Po pse, edhe pas 35 vitesh të mbushura me telashe, vuajtje e përçmime ndaj votes, besimit dhe shpresave të mëdha për jetë më të mire dhe integrim, ne do të zvarritemi pas një politike destruktive, që vazhdon të luajë me fatet tona?/Javanews
Komente












