Armando Broja, pas golit të gjetur pak ditë më parë, po jep gjithmonë e më shumë sinjale pozitive te Burnley në Premier League. Sulmuesi i Kombëtares ishte autori i asistit në golin e vetëm që Burnley shënoi në disfatën 1-3 kundër Newcastle.
Në minutën e 23, pasi rezultati kishte shkuar 0-2 për miqtë, Broja kërceu më lart se të gjithë në zonë, duke kthyer në asist një top me kokë, që u konkretizua në mënyrë perfekte nga mesfushori Laurent. Në vijim Burnley, i ndikuar edhe nga euforia e golit, pati disa shanse të arta për të realizuar, por u ndal në 2 raste nga traversa. Protagonist në rastet e krijuara ishte edhe Broja, i cili shërbeu për shokët e skuadrës, por edhe tentoi portën e kundërshtarit.
Me asistin e dhënë kundër Newcastle, por edhe golin kundër Bournmouth, Broja ka kontribuar në 3 ndeshjet e fundit më shumë se në 47 sfida të mëparshme të tij. Një statistikë që vihet në pah nga BBC, që gjithashtu e vlerëson me notë pozitive shqiptarin kundër Neëcastle pavarësisht disfatës së Burnley-t.
Sipas ‘dailymail’ Broja ka notën 7, ndërsa vetëm dy shokë skuadre kanë bërë më mirë se ai. Sofascore e ka vlerësuar shqiptarin me 6.9. E vetmja gjë negative ishte gditja e fortë që Broja mori në këmbën e majtë në minutën e 90. Fillimisht u duk një problem serioz, por megjithatë 24-vjeçari ia doli të mbyllte ndeshjen. Në dy sfidat e fundit, pas golit me Bournmouth, Broja është aktivizuar titullar te Burnley.
Komente








