Në një atmosferë solemne, senatori socialist Namik Dokle mbajti sot fjalën e lamtumirës për mikun e tij të hershëm, Servet Pëllumbi, duke kujtuar rolin e tij në politikën shqiptare dhe dimensionin njerëzor që e shoqëroi gjithë jetën.
Me zërin që shpesh i dridhej nga emocionet, ish-kryetari i Kuvendit, foli për vitet e vështira të tranzicionit, për betejat politike dhe për figurën e Pëllumbit, të cilin e cilësoi si “profesorin” e socialistëve dhe një nga njerëzit më të urtë të politikës shqiptare.
"Thonë që jeta nuk është ajo që dikush jeton por ajo që lë pas vetes për tu kujtuar dhe treguar. Profesor Sërvet Pëllumbi ishte ndër të parët politikanë të tranzicionit shqiptar e ndoshta të paktët që kuptoi se ardhmja nuk ishte më ajo që ishte dhe ju përkushtua si mendimtar dhe udhëheqës politik, si veprimtar dhe organizator për ndërtimin e një demokracie reale, vepruese dhe të pa deformuar nga ambiciet e errëta, mllefi dhe bajraktarizmi, makutëria dhe mashtrimi. Thelbi i ndryshimit në konceptin e tij ishte ndërtimi i një shoqërie që funksionon, një Shqipërie normale" tha Dokle në reflektimin e tij.
Dokle tha që Servet Pëllumbi ishte një politikan që nuk rrinte i shkëputur nga realiteti, por merrej me problemet reale të njerëzve dhe besonte se politika duhet të nisë nga hallet e qytetarëve të zakonshëm dhe udhëhiqe nga idea e Anjshtajnit se për të zgjidhur problemet e një shoqërie, në fillim duhet ndryshuar mentaliteti.
"Ai komunikonte me kohën përmes problemeve që shqetësonin shoqërinë, mendonte se qeverisja dhe politika e mirë fillon tek pragu i derës së çdo qytetari. Ai kërkonte që çdo shqiptari të mos i bëhej pyetja ‘nga vjen’ por ‘ku dëshiron të shkosh’, duke gjetur kështu të gjithë së bashku rrugën drejt Europës së re dhe të bashkuar. Nëse nuk kemi një vizion të qartë europian nuk është e mundur të ndërtojmë një projekt kompleks. Ai udhëhiqej nga idea e Ajnshtajnit se për të zgjidhur problemet e një shoqërie, më parë duhet të ndryshojmë mentalitetin që ka pjellur ato probleme” tha Dokle
Dokle nuk la pa kritikuar edhe realitetin shqiptar të politikës, duke thënë se intelektualët nuk kanë më ndikimin që duhet në shoqëri dhe janë zëvendësuar nga figura mediatike apo njerëz të spektaklit. Sipas Dokles, Pëllumbi luftoi kundër kësaj dhe donte që politika të nxirrte njerëz të aftë dhe me vlera.
“Edhe në vendin tonë, për fat të keq, intelektualët nuk janë liderë të opinionit publik. Ndikimi shoqëror nuk është më domain i tyre por është zëvendësuar nga komunikuesit radio televizivë, ashtu siç kantautorët zëvendësuan poetët e vërtetë. Sërvet Pëllumbi bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të kundërtën. Ai luftoi që politika të gjenerojë kapitalin njerëzor që shoqëria të zhvillohet dhe të adaptohet me ndryshimet e shpejta. Atë e shqetësonte shumë ajo lloj politike që transformohet në artin e mprehtë të marrjes së votave nga të varfrëit dhe të parave nga të pasurit, ndërkohë që u premton të dyja palëve se do t’i mbrojë nga njëra tjetra. I gjithë mendimi i tij filozofik përmblidhej në këtë fjali: nuk jetojmë një epokë ndryshimesh por jetojmë ndryshim epokash. Prandaj duhet të jemi në lartësinë e këtyre ndryshimeve" tha Dokle
Në fund të fjalimit, Dokle ndau edhe momentin e dhimbshëm të humbjes së nënës dhe pranisë pa kushte të Sërvetit që tregon shumë për marrëdhënien që dy socialistët kishin së bashku.
"Ndërsa flas sot në lamtumirën e njeriut me të cilin pata një miqësi të pakushtëzuar, të sinqertë e të ndershme, kujtoj një lamtumirë tjetër plot 30 vjet më parë. Po kthehesha nga një udhëtim jashtë shtetit me merakun se kisha lënë nënën të sëmurë dhe në aeroport më priti profesor Sërveti. “Dola për ty” më tha. “Ah, më paska lënë nëna” i thashë. Atë përqafim të tij nuk mund ta harroj kurrë. Ashtu si mijëra njerëz në të gjithë Shqipërinë, nuk do ta harrojnë kurrë dimensionin njerëzor të profesor Sërvetit. Ai ishte mik i popullit. Çdo ditë i takonte njerëzit, të njohur e të panjohur, intelektualë dhe artistë, punëtorë dhe të papunë, studentë dhe fshatarë , socialistë dhe jo socialistë. Dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve. Dëgjonte hallet dhe përpiqej t’i zgjidhte. Ishte politikan, filozof, mendimtar por mbi të gjitha ishte njeri, që mbetet përgjithmonë në përjetimet e njerëzve. Lamtumirë i dashur profesor!" përfundoi Dokle.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Servet Pëllumbi! Krerët e shtetit dhe politika homazhe! Rama: Do të mbetet pikë referimi! I biri: Jam krenar për vlerat që na la









