Një javë pas shpërthimit që i mori jetën Beqir Devollit në Gjirokastër, policia ka identifikuar 4 autoret e krimit. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerët janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë larguar jashtë vendit.

Konfliktet për prishjen e pazareve të drogës në vendet europiane dyshohet se cuan ne vrasjen e 48-vjecarit.

“Nga të dhënat e administruara në kuadër të hetimit, këta shtetas dyshohet se kanë pasur role të ndryshme dhe kanë organizuar vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet, me qëllim vrasjen e shtetasit Beqir Devolli, dyshuar për shkak të prishjes së pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet europiane" tha Drejtori i Policisë Altin Merizaj 

Në pranga kanë përfunduar 64-vjeçari Behar Zyberi, alias Behar Heqimaj, nga Fieri, dhe 42-vjeçari Shpëtim Malasi, banues në Patos. Ndërsa në kërkim janë Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, dhe Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë. Të katër dyshohen për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim.

Zyberi ka precedentë penalë, ndërsa Zhupa dhe Omeri rezultojnë të njohur për veprimtari kriminale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike.

Për të dokumentuar ngjarjen, grupi hetimor ka marrë në pyetje 18 persona, ka kryer kontrolle dhe ekspertime, si dhe ka analizuar provat biologjike të mbledhura gjatë hetimit. Veprime kanë ndihmuar në identifikimin e personave të dyshuar.

"Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një motomjet pa targa, që dyshohet se është përdorur për vendosjen e lëndës plasëse, dy automjete, tre telefona celularë, 2 mijë e 500 euro dhe rreth 130 mijë lekë" tha Merizaj. 

Atentati ndodhi mbrëmjen e 10 tetorit, në bulevardin “18 Shtatori”, përballë Policise se Gjirokastres. 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa pasagjeri, 26-vjeçari Erigels Mela, mbeti i plagosur lehtë. Nga këqyrja e automjetit, hetuesit gjeten se  lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit.