Të tjera detaje kanë dalë lidhur me atentatin me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur edhe si ‘Çilo Hunderri’, si dhe mbeti i plagosur 26-vjeçari Erigels Mela. Erigers Mela kishte shoqëri edhe me 'Çilo Hunderrin' dhe, sipas informacioneve, shpesh përdornin makinat e njëri-tjetrit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjet përllogaritet rreth 300 gram TNT.
26-vjeçari që i mbijetoi shpërthimit rezulton të jetë djali i ish-prokurorit Përparim Mela, ndërsa e ëma e tij, Mimoza Mela, aktualisht është sekretare në Prokurorinë e Gjirokastrës. Jo vetëm kaq, por edhe vëllai i tij, Jurgen Mela, dyshohet se ka pasur lidhje edhe me një skemë mashtrimi përmes call center-ave.
Jurgen Mela është biznesmen dhe ortak në dy shoqëri tregtare në Tiranë, i cili është vënë në verifikim nga Policia e Shtetit në kuadër të hetimeve për skemat e mashtrimit kompjuterik të qytetarëve europianë përmes aktivitetit të call center-ave. Por ndaj tij, Prokuroria nuk rezulton të ketë ngritur akuzë për këtë çështje.
Më 12 prill 2024, ai themeloi kompaninë “JM Development” së bashku me bashkëshorten e tij, Megi Mela, me seli pranë rrugës “Jordan Misja” në Tiranë.
Më herët, ai ka qenë bashkëpronar, me 50% të kuotave, së bashku me Granit Pepnikën, në kompaninë “Gama Media Communication”, e cila aktualisht rezulton e pezulluar.
Ortaku i Melës, Granit Pepnika, i akuzuar si bosi i një rrjeti mashtrimi përmes Call Center-ave, është arrestuar në korrik në një resort në Dhërmi. Grupi i Pepnikës, ku dyshohet se ishte përfshirë edhe Jurgen Mela, zhvati 50 mln € nga evropianët përmes Call Center-ave dhe u godit në prill të këtij viti. Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj Pepnikës masën e arrestit në burg për 'mashtrim kompiuterik' dhe 'pastrim parash'.
Në pranga përfundoi edhe bashkëpunëtori i tij, 31-vjeçari Xhoni Hitaj, edhe ai i shpallur në kërkim, si dhe 28-vjeçari nga Tirana, Redion Rexhmati, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit.
Operacioni për goditjen 3 e call center-ave mashtrues që ushtronin aktivitetin kriminal në 12 zyra në kryeqytet, u krye në prill të këtij viti pas një hetimi 2-vjeçar të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake. Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.
Lajmi kryesor:
Atentati në Gjirokastër/ Beqir Devolli, i njohur si ‘Çilo Hunderri’, u vra me bombë të telekomanduar! Pistat e hetimit, nga lidhjet me grupe kriminale te hakmarrja si informator i dyshuar i policisë









