Athina, 600 mijë
pasaporta për shqiptarët

Athina, 600 mijë <br />pasaporta për shqiptarët
TIRANE-  Pas "dështimit" të Censusit, siç e komenton Athina zyrtare procesin e numërimit të popullsisë në Shqipëri, duke deklaruar edhe kombësinë dhe fenë, autoritetet greke po përgatiten për planin B: dhënien e shtetësisë greke nëpër konsullata për 600 mijë njerëz në Shqipëri. Deklarimin e parë zyrtar e bëri konsulli grek në Gjirokastër, Nikolas Kotrokois, në Dropull, ku u shpreh se shumë shpejt do të nisin procedurat e marrjes së nënshtetësisë në zyrat e Konsullatës Greke të Gjirokastrës për të gjithë ata që kanë depozituar dokumentet.

Vendimi për planin B është marrë në Athinë, citohet në sajtin smarkos.blogspot.com dhe ai është marrë pasi Athina përdori të gjitha lëvizjet diplomatike ndaj Tiranës zyrtare. Në deklaratën e pak ditëve më parë, ministri i jashtëm i Greqisë, Stavros Dimas, theksoi se Tirana, po vazhdon të tregojë kundrejt Greqisë se ushqen një bashkëpunim jo të sinqertë, ndërsa nga ana tjetër bën thirrje për respektimin e të drejtave të minoritetit greke në Shqipëri.
Sipas parashikimeve, marrja e pasaportës greke për shtetasit në Shqipëri do të bëhet në kohë të shkurtër dhe kjo do të përdoret për vetëdeklarimin e këtij komuniteti (censusi i grekëve) në Shqipëri. Numri i përafërt i shtetasve grekë në Shqipëri, sipas burimeve greke është rreth 600 mijë, ku vetëm shqiptarët që kanë palikuar janë rreth 100 mijë.

Dhënia e shtetësisë për grekët në Shqipëri ishte aprovuar nga qeveria e ish-kryeministrit Kostas Karamanlis në tetor 2006, por Komisioni kombëtar për grekët jashtë, e kishte bllokuar, që t'I jepte shans Shqipërisë që të bënte një numërim të lirë të komunitetit grek. Vendimi i qeverisë greke, ishte publikuar në 8 nëntor 2006, dhe parashikonte që tu jepte në mënyrë masive shtetësinë greke shtetasve shqiptarë të cilët do të deklarojnë para autoriteteve greke se kanë nacionalitet grek. Sipas gazetës së Athinës "Ekathimerini", që i referohej Ministrisë së Brendshme të Greqisë, përveç 200 mijë vetëve që pritej të fitonin shtetësinë greke, oferta ishte e hapur edhe për shtetas shqiptarë të tjerë që do të aplikonin për kartën e identitetit (pra të deklarohen si grekë vorio-epirotë), çka u mundëson që të fitojnë nënshtetësinë greke.
ATHINA
Pak ditë para se INSTAT të shpallte rezultatet paraprake të numërimit të popullsisë dhe të banesave, duke lënë për vitin tjetër atë për minoritetet, Athina zyrtare shprehu kritika për procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. Ministri i Jashtëm grek, Stavros Dimas, gjatë fjalimit në parlament u shpreh se në këtë proces nuk u respektuan të drejtat e pakicave etnike, minoritetit grek në Shqipëri dhe se ky shqetësim i ishte përcjellë edhe Komisionit Europian dhe palës shqiptare.
"Ministria e Jashtme greke ka ndjekur me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet, që kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri dhe ka kërkuar si nga instancat europiane dhe ato shqiptare, që të respektohet dhe garantohet pacënueshmëria e procesit si dhe regjistrimi pa pengesa i pakicës etnike greke kudo ku ajo ndodhet",-ishte shprehur Dimas. Sipas njoftimit të publikuar në faqen e SAE (Këshilli Botëror i Helenëve në Botë) (shih www.sae.gr), Dimas, duke iu përgjigjur deputetit të LAOS, Costas Aivaliotis që ishte shprehur se "qeveria shqiptare bëri ndryshime në pyetësor, madje edhe vuri gjoba, që të fshihte rregjistrimin e shtetasve me origjinë greke dhe për të dekurajuar ata që të vetëdeklaroheshin si grekë, madje ai shtoi se edhe rregjimi i Hoxhës ua kishte ndrydhuar shtetësinë dhe prej atëherë ata janë rregjistruar si grekë.
Sipas Dimas, respekti për vetëvendosjen, gjatë censusit, ishte kushtëzuar edhe nga Komisioni Europian, gjatë progres-raportit, si shumë të rëndësishëm. Greqia ishte ankuar në Bruksel edhe në fillim të tetorit, para nisjes së Censusit në Shqipëri, duke thkesuar se vendimi i pakicës greke në Shqipëri për të abstenuar procesin e regjistrimit të popullsisë, tregonte mungesë serioze të besimit të minoriteteve ndaj shtetit shqiptar si dhe duke sulmuar vendimin Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për ligjin e Gjendjes Civile, që e shpalli si jokushtetues ligjin për ndryshimin e kombësisë.
(Në foto ceremonia e perkujtimit te ushtareve grekë, të vrarë në luftën greko-italiane më 1940, ne Bularat më 28 tetor 2011)

(Shkrimi u botua sot ne Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve! Pamjet me dron

Vlorë/ Vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve! Pamjet me dron