/ATSH-AFP/ - Greqia paraqiti një propozim tjetër reformash për kreditorët, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që mundëson rifillimin e financimit të vendit, kasat e të cilit janë pothuajse të boshatisura, theksuan sot burime evropiane.
"Athina u paraqiti institucioneve një propozim tjetër reformash, që po i studiojnë", theksoi një prej burimeve, pa dhënë detaje për përmbajtjen e këtij dokumenti.
Dy të dërguar të kryeministrit grek, Aleksis Cipras, përfshirë dhe kreun e negociatave politike, Euclide Tsakalotos, shkuan dje në Bruksel për të vlerësuar kufijtë në kuadër të një marrëveshjeje me kreditorët. Ata janë takuar me komisionerin evropian të ngarkuar me Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici, sipas një burimi të afërt me diskutimet.
Greqia, që pret me padurim zhbllokimin e 7,2 miliardë eurove nga FMN-ja, BQE-ja dhe BE-ja, në këmbim të reformave të vështira, ka pak kohë për të negociuar para boshatisjes së kasave.