ATHINË, 16 mars /ATSH-ANA-MPA/ - Greqia nuk është koloni, në ndërkohë që unë mbetem i vendosur për të realizuar programin tim deri në fund, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras në një intervistë për gazetën greke "Ethnos", ku gjithashtu vlerëson edhe gjetjen e gjuhës së përbashkët me partnerët për reformat.
"Programi ynë u prezantua në deklaratat programatike dhe për këtë program ne jemi angazhuar. Ky program ka një horizont katërvjeçar dhe do të realizohet deri në fund. Projektligjet që ka shpallur qeveria janë të panegociueshme dhe do të depozitohen menjëherë në parlament", theksoi kryeministri.
"I kemi informuar institucionet, jemi të hapur në propozimet e tyre, por në Greqi populli votoi dhe zgjodhi një qeveri që të qeverisë. Greqia nuk është koloni dhe rrugë për kthimin e Greqisë te memorandumi nuk ekziston më", sqaroi ai.
"Nuk ka asnjë rrezik për pagat dhe pensionet si dhe asnjë kërcënim për depozitat në Greqi. Këto gjëra nuk duhen të thuhen as për shaka", shtoi Cipras./ a.jor.












