Italia i thotë stop gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në media dhe rrjete sociale. Vendimi është marrë nga Autoriteti i Komunikimeve në Romë i cili ka ngritur një mur kundër gjuhës së urrejtjes në të gjitha rastet kur ajo shpërndahet qoftë në televizion, mediat sociale, radio, portale dhe shtypin e shkruar.
jo rregullore është miratuar ditën e djeshme dhe do të zbatohet në të gjitha transmetime si dhe në mediat sociale për të shmangur kështu gjuhën e urrejtjes dhe fjalëve që nxisin dhunën dhe intolerancën. Sipas kësaj rregulloreje, në vëmëndje të veçantë do të jenë fjalët që kanë në qendër gratë, homoseksualët, jugorët, emigrantët, romët, njerëzit me ngjyrë, muslimanët. Pjesë e kësaj rregulloreje janë edhe shprehjet apo përmbajtjet që fillojnë vetëm me një raportim lajmi dhe më pas rrezikojnë të bëhen të rrezikshme pasi nuk janë të mbështetura në të dhëna ose statistika të besueshme.
Reagimi i Autoritetit të Mbikqyrjes së Komunikimit vjen pas ankesave të "shoqatave" dhe "organizatave përfaqësuese", por edhe në bazë të monitorimit sistematik të programeve, lajmeve, rrjeteve sociale, ku janë zbuluar përmbajtje, fotografi ose ndoshta një mesazh në rrjetet sociale kundër dinjitetit njerëzor ose të drejtave individuale të njerëzve, veçanërisht të njerëzve të dobët ose të mitur.
Megjithatë, Autoriteti nuk paragjykon lirinë e shprehjes së individëve.
“Në asnjë rrethanë rregullorja nuk është formë e censurës paraprake. Për më tepër, shkeljet e rastësishme nga një subjekt mediatik, do të ndëshkohen me një karton të verdhë, që ka të bëjë me një raport të thjeshtë që Autoriteti do të publikojë në faqen e saj të internetit. Në këtë rast, botuesi ose platforma 'web' do të ketë 15 ditë për t'u përgjigjur.” thuhet në deklaratën e Autoritetit.
Nëse kontesti përfshin një gazetar, Autoriteti do të koordinojë veprimet me shoqatën apo sindikatën e gazetarëve, e cila do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj. Po ashtu, Autoriteti i Komunikimeve në Romë do të monitorojë, gazetat dhe platformat web që kanë bërë sjellje të paligjshme dhe të vazhdueshme. Nëse këto subjekte injorojnë dispozitat e Autoritetit, ata do të përballen me gjoba nga 2 deri 5 përqind të xhiros së tyre. Dhe nëse kjo shkelje vijon të përsëritet, parashikohen ndëshkime më të rënda.
Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve në Romë, Marcello Cardani thotë se ky vendim vjen në një kohë kur Këshilli i Evropës i ka 'akuzuar' mediat italiane për një rritje shqetësuese në fenomenet e diskriminimit. Për këtë arsye Cardiani thotë se duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje fenomenit , duke respektuar plotësisht lirinë e shprehjes .
“Iniciativa e Autoritetit dëshiron të përfaqësojë një "kërkesë kulturore". Gjuha jonë ka kaq shumë fjalë, ndaj të zgjedhim të drejtën, ato fjalë që nuk dëmtojnë dinjitetin njerëzor " është shprehur Cardini.
Sa i përket platformave me video (si YouTube), do të jenë të detyruara të luftojnë fjalët dhe përmbajtjen e urrejtjes, duke zbatuar kështu direktivat e reja evropiane mbi mediat audiovizive.
Ndërsa botuesit e televizionit, dhe në veçanti televizioni kombëtar ‘Rai’, do të duhet të marrin iniciativa që shkojnë në drejtim të kundërt të urrejtjes. Kjo nënkupton që transmetimet televizive dhe lajmet do të kushtojnë hapësira për temat e "përfshirjes sociale, kohezionit, promovimit të diversitetit, të drejtave themelore të njeriut".
Po ashtu, RAI, do të duhet të transmetojë një reklamë të Autoritetit që inkurajon përdorimin e fjalëve të paqes.
Rregullorja për botuesit dhe platformave Web:
Evitoni shprehje që nxisin urrejtjen
Evitoni termat specifik si (gratë, emigrantët, zezakët)
Mos filloni me ngjarje gjeneralizma.
Evitoni ndarjet dhe steriotipizimet
Evitoni referimet per orientimet e ndryshme seksuale
Të promovohet nxitja e përfshirjes sociale në TV.
Zvogëloni videot dhe fotot diskriminuese nga rrjeti.