Avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut Erion Veliaj i kanë dërguar një kërkesë SPAK-ut për ta takuar në paraburgim në datën 10 shtator. Avokatët shprehen se Veliaj duhet të firmosë kërkesën për apelim të çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për çështjen e arrestit të tij.

Ky pritet të jetë takimi i dytë, pasi i pari u mbajt në 28 korrik, ku Veliaj priti për pesë orë dy avokatët britanikë të studios ndërkombëtare “Mishcon de Reya”, Ben Brandon dhe Celia Marr.

Ndërkohë më 2 shtator Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi kërkesën e Erion Veliajt i cili kundërshtoi vendimin e GJKKO për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Mbrojtja paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë teksa arsyetoi se Veliaj nuk ka përbërë shkak për shtyrjen e seancave, pasi në një rast ka munguar avokati Maksim Haxhia që mbron Ajola Xoxën, dhe në një rast tjetër, avokati i një të pandehuri tjetër.

Kryebashkiaku vijon të jetë i izoluar në burgun e Durrësit prej 10 shkurtit të vitit 2025 kur u arrestua me urdhër të SPAK.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë