Avokati Fran Dashi i ka bërë thirrje publike drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe kupolës drejtuese të Bluve, që nëse ditën e nesërme në protestën e PD-së ka dhunë dhe sulme ndaj efektivëve, të arrestojnë organizatorët e tubimit.

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Dashi tha se institucionet shtetërore nuk duhet të goditen nga militantët e asnjë force politike.

Sipas Dashit, gjatë protestave të mëparshme të thirrura nga Sali Berisha, janë arrestuar vetëm militantë ‘të lodhur’ dhe asnjë organizator.

“Protestuesit e lodhur arrestohen, dërgohen në qeli dhe para gjykatës. Asnjë organizator nuk kemi parë që të ndalohet, të shoqërohet apo të përgjigjet para ligjit. Do i bëja thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nëse nesër do të ketë djegie, molotovë, gjakosje të efektivëve të policisë, në mënyrë urgjente me forcat speciale të arrestojë drejtuesit e saj dhe t’i vërë para përgjegjësisë, pa pyetur asnjë njeri. Këtu pyetet ligji dhe kushtetuta. Institucionet janë institucione dhe nuk preken”, tha mes të tjerash Dashi.

Më tej avokati Dashi, duke analizuar aksionin e PD-së në parlament, theksoi se pjesë më e madhe e deputetëve të kësaj force politike janë servila dhe interesaxhinj, që sipas tij qëndrojnë në shërbim të kryedemokratit Sali Berisha.

Dashi u bëri thirrje shqiptarëve që ditën e nesërme të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe të mos marrin pjesë në protestën e thirrur nga Berisha, e cila sipas tij i shërben vetëm një grushti njerëzish dhe jo të mirës publike.

“PD nëse do të bëjë miting le të shkojë në Parlament, të ngrejë shqetësimet e qytetarëve dhe aty është fushëbeteja. Por s’kanë interes të shkojnë aty, sepse nga 45 deputetë që ka 40 i ka nga listat e mbyllura, janë servila dhe interesaxhi përreth kryetarit, 4-5 që janë të listave të hapura, ata kanë siguruar votat me forcat e tyre dhe jo me forcën e PD. Nesër shqiptarët bëjnë mirë që të rrinë në shtëpitë e veta, të shijojnë jetën me familjen dhe jo të dalin aty që t’i përgjigjen ndonjë kokëpalari që bën thirrje për të goditur policinë e shtetit. Drejtori i ri i Policisë së Shtetit po ecën me shpejtësi në vendosjen e rendit kushtetues në Shqipëri”, vijoi më tej avokati Fran Dashi.