Në ditët e fundit, duke marrë shkas nga përvjetori i 20-të i vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, u bënë aq shumë manifestime dhe përkujtesa, sa që mund të mendoje se gjithçka në këtë muaj vjeshte është e lidhur vetëm me emrin e tij. Ish presidentë dhe presidentë, ish kryeministra e shefa qeverie, ministra e sejmenë, të urtë dhe të çartur, të hedhur tej dhe të futur rishtas në politikë, njerëz që kanë pasur miqësi me të dhe të tjerë që thanë, “na u lirua një vend”; ata që e kanë mallkuar dhe që e kanë dashur, ata që e përbuzën sa ishte gjallë dhe që fërkuan duart pas vdekjes; ata që e quajtën sharlatan dhe spiun i sigurimit të shtetit dhe ata që e deshën përnjëmend, familjarë e të largët, të gjithë u ndalën, në atë shumësi sa ishin, për t’u betuar, për të shenjuar një luftë të re, kësaj radhe me çdo çmim, edhe pse çmimi që pagoi Hajdari ishte tepër i lartë për të dhe familjen e tij.

Mbrëmë në darkë, duke hyrë 14, pra dita e sotme, disa do të kujtojnë grushtin e shtetit që desh realizuan, disa do të kujtojnë se si arkmorti i shkretë u përdor si dash i mesjetës për të shembur dyert e Kryeministrisë; dhe, vetëm më të afërmit do të kujtojnë se si ky arkmort u braktis në shkallët e qeverisë, sapo u dha “kushtrimi” se u rrëzua qeveria dhe se si, thujase asnjëri nga këto që derdhin lotët e shumtë sot, nuk ishte në aktin e varrimit të të ndjerit.

Nuk ishte as Berisha, që mori urdhrin për të futur bishtin ndër shalë, dhe, si nuk e kishte pritur, për të kthyer prapsht taborret që çirreshin “duam babë Saliun”, nuk ishte as ai Spahia i legalistëve, që u bë pjesë e një pakti republikan; nuk ishte, jo që jo, Basha, që asaj kohe mund të ishte duke llogaritur punët në Rinas; nuk ishte as Meta që po i drejtohej postit të zevendeskryeministrit; nuk ishte as Kryemadhi, sepse atëherë Azemi ishte njeriu i rrezikshëm i tyre, të cilin, megjithatë, herë pas here, e përdornin si top, majtas e djathtas…; nuk ishin e nuk kishin se të ishin as këta pinjollët e rinj të pëdëistëve, që tani rrahin gjoksin dhe duan të bëjnë një “revolucion të vonuar pëdëist”.

Më 14 shtator Azemin, deri tek shkallet e qeverisë, e përcollën qindra vetë; në krye të tyre ishte Izet Haxhia, që nuk e dinte se duke shkuar drejt shkallëve të qeverisë me këtë arkmort, po i përgatiste një të tillë jetës së tij; ndërsa, nga shkallët e qeverisë dhe deri tek vendpushimi i fundit, e përcollën vetëm miqtë tij të ngushtë, që, pavarësisht se si e kishin njohur atë, ndjenin dhimbje./Dita/