'Babi më ndihmo të dal...!' 'Fundi i botës', dhimbja e papërshkrueshme e Ajetit që humbi familjen 1 vit më parë (VIDEO)

DURRËS- 26 nëntori i vitit 2019 është një datë shumë e trishtë për komunitetin durrsak, për vetë faktin se u shënua një tragjedi si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike. Ndodhemi pikërisht në truallin e pallatit gjashtëkatësh, i cili u rrënua në orët e para të mëngjesit të së martës. Pikërisht është vendi ku humbën jetën Roza Meçaj, Diena Karanxha dhe vajza e saj Esiela Karanxha, vetëm 8 vjeçe. Ajet Meçaj është rrëfyer ekskluzivisht për Report TV, me historinë e tij të dhimbshme të asaj nate. Nuk e ka besuar që është i gjallë, e ndërsa Roza, Diena 30 vjeçe dhe Esiela, vajza e vogël 8-vjeçare, humbën jetën pikërisht nën rrënojat e këtij pallati, i cili u shemb në orët e para të tragjedisë së 26 nëntorit të vitit 2019.

Zoti Ajet, jemi një vit nga regjistrimi i tërmetit të 26 nëntorit, një tragjedi shumë e madhe për qytetin e Durrësit por, mbi të gjitha, edhe për familjen tuaj. Keni humbur bashkëshorten Rozën, vajzën Dienën dhe mbesën Esielën. Si ndiheni sot pas një viti?

-Një dhembje e papërshkruar, një humbje dhe një gropë e madhe që më është bërë në shpirt. Mundohem t’i jap forcë vetes duke menduar dhe duke lexuar njëkohësisht, se në librat e shenjtë thuhet që “mos u hidhëro për ato që shkuan, por lutu që i kishe”. Të them të vërtetën, ato nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, Roza, Diena, Esiela. Por gjatë kësaj kohe mendoj që falë mbështetjes së të afërmve, të miqve e të shokëve, kam përshtypjen që dita-ditës po e marr veten, por po ecën paralel dhembja me jetën.

Për t’iu rikthyer pak asaj dite, e di që është shumë e trishtueshme, por për të sjellë pak copëza kujtimesh, si ju vjen ajo ditë ndër mend, 26 nëntori?

-26 nëntori ishte si një ditë e zakonshme. Ne takoheshim vazhdimisht se vajza e madhe Diena vinte me Esielën, e linte te ne, si te gjyshja kuptohet, me gjyshin. Atë ditë ato nuk erdhën. Unë me time shoqe kishim dalë në një promovim, diku në një lokal këtu në Durrës. Nga mesi i kohës na telefonon vajza dhe thotë: “Babi, nuk e dëgjuat tërmetin ju? Prandaj unë do të vij andej nga ju” sepse ne mendonim që pallati ynë ishte i sigurt. Kështu mendonim ne, kështu ishim bindjen ne që jetonim të gjithë, edhe ata që e kishin ndërtuar. I thashë: “Hajde” dhe u bëmë bashkë, rreth orës 10 të darkës u bëmë bashkë dhe po rrinim atje. Kur po bisedonim me vajzën i them, aq sa dinim edhe ne për tërmetin, që goditja e parë është e fortë dhe të tjerat vijnë duke u ulur. Edhe këtë diskutuam që “s’kemi pse të kemi merak”. Dhe pastaj, neve na ka marrë gjumi rreth orës 12 besoj dhe nuk e kemi ndier as tërmetin e orës 3, vetëm atë të orës 4 që na shkundi të tërëve. Dhe ai ka qenë momenti i tmerrit. Dëgjoja vajzën e vogël që ulërinte, se ajo e varfra më thoshte: “Gjyshi, unë e dua shumë jetën”, interesante d.m.th. Dhe kam dëgjuar ulërimën dhe frikën e saj kur tundej toka me gjithë pallatin. Dhe unë nuk i shikoja sepse pozicioni i dhomës sime nuk më linte të komunikoja, sepse nga shkundja ishte bllokuar dera, por vetëm dëgjoja zëra. Dëgjoja vajzën e vogël që thërriste dhe vajzën e madhe, Dienën, kurse Rozën nuk e kam dëgjuar. Me sa duket, Rozën e varfër e ka goditur me të parën d.m.th. Edhe fakti këtë tregoi që kur ne, pas kërkimeve e gjetëm Rozën, ishte pa shenje jete. Rozën e ka goditur me sa duket që në fillim, i kanë rënë materialet.

Po nga Diena, çfarë dëgjuat të thoshte?

-Diena më thoshte: “Babi, më ndihmo të dal, babi”. E pyes: “Si është vajza?”. Më tha: “Këtu e kam”. Vajza, me sa duket, kishte mbaruar, Esiela, por ajo kurrë nuk më tha, por vetëm “këtu e kam”. Dhe shpresat ishin të mëdha, të paktën të shpëtonte njëra.

Ndërkohë, nga rrënojat Diena ka dalë e gjallë dhe më pas ka ndërruar jetë. Çfarë ju ka thënë në ato momente kur është transportuar për në spital?

-E shoqërova Dijnën në ambulancë, por jo lart sepse, me sa duket, një shoqe e saj e ngushtë që ishte me mua, e ka parë situatën më mirë se unë, sepse unë nuk doja ta besoja se çfarë po ndodhte. Unë mendoja se isha në ëndërr. Kjo ishte situata ime dhe ajo më tha: “Xhaxha Ajet, rri përpara ti sepse po e shoqëroj unë prapa”. Madje më futi në krah të shoferit, që unë të mos lëvizja. Edhe kur dëgjova duartrokitjet e njerëzve kur e nxorën, u ndieva mirë, mendova “o Zot i madh, mbase ka një shpëtim”. E shoqërova në ambulancë në spital, por unë isha keq edhe vetë, isha copëtuar, isha gjakosur dhe më futën aty ata. Pastaj po dëgjoja ulërima dhe i them djalit që sapo kishte ardhur nga Italia: “Pse qajnë këta?”. Dhe ai më tha: “Babi, bëhu i fortë se edhe Diena mbaroi”. Fund, fundi i botës, i jashtëzakonshëm, d.m.th. ata tre njerëz që i kisha më të dashurit, ata më ikën. Nuk e di. I kujtoj, si çdo prind, si çdo bashkëshort, si çdo gjysh.

Zoti Ajet, do të doja t’i rikthehesha pak atij momenti kur pallati u shemb, bashkëshortja, Diena dhe vajza e vogël u zunë nga rrënojat. Ju ku ndodheshit në ato momente dhe si shpëtuat?

-Unë ndodhesha në një dhomë ku ishte pjesa e ballkonit. Pallati, kur u shemb, ka marrë drejtimin e lindjes ose të verilindjes, d.m.th. ajo pjesa ku isha unë, si të thuash, u shkëput duke marrë me vete materiale të tjera dhe nuk kishte shumë inerte. Aty ranë inerte, por nuk ra e gjithë ajo pjesa aty dhe kati i dytë ku ishim ne, mbi lokal, zbriti një kat më poshtë. Kaq goditje e fortë ishte dhe dhoma jonë e gjumit u fut në garazhin e katit të parë të pallatit përbri. Me sa duket, unë shpëtova se isha në këtë dhomë, në këtë pjesë. Kurse Roza i ka vënë përpara vajzat dhe vetë ka qenë më pas, për të dalë nga dera kryesore. Por kur e kam parë unë pastaj, d.m.h. pasi jam orientuar, gjithçka ka qenë e shkruar ashtu siç ndodhi, sepse edhe sikur të kishin dalë ato në korridor, e gjithë shkalla ka rënë njëra mbi tjetrën dhe atje nuk bëhej fjalë që të kishte ndonjë mburojë apo ndonjë cep ku të mund të futeshin. Ishte e pamundur. Pallati është shkërrmoqur, a thua se ishte argjil. Është shumë interesante, shumë e çuditshme, nuk e shpjegoj dot, sepse unë isha i bindur përderisa aty jetonte pronari që e kishte ndërtuar, familjar me katër fëmijë, gjithsecili në shtëpi më vete, thosha që këta e kanë ndërtuar për vete, s’e kanë ndërtuar për mua, kështu që unë këtu jam si në bunker, jam i sigurt. Prandaj erdhi edhe vajza, d.m.th. se i thoshim ne që e ka ndërtuar për vete, s’e ka bërë për të tjerët. Mirëpo nuk qe e thënë kështu.

Në vitin 2015 Diena pati një fatkeqësi bashkë me vajzën e saj, sepse Dorian Karanxha, bashkëshorti i Dienës, u nda nga jeta si pasojë e një arresti kardiak. Çfarë ndodhi konkretisht me Dorin?

-Kur na ka marrë vajza ishte duke u gdhirë 14 shkurti. Na tha: “Babi hajdeni shpejt se Dori po vdes”. Për ne ishte e papritur se ishte gjithë ai djalë. Shkuam dhe e gjetëm të vdekur. Fatkeqësi e madhe. Ai ishte një djalë i edukuar, i mrekullueshëm. Me sa duket, po shkojmë drejt asaj shprehjes që Zoti të mirët i merr. Nuk e di pse. Biles, sa herë që shkoj te varri i Dorit, i them: “Hë Dori, jam zemëruar ca me ty, sepse po të mos kishe ikur ti do të ishin edhe këto”. Të paktë, dy vajzat do të ishin. Mund të kisha ikur unë me time shoqe se do të kishim qenë bashkë në ndonjë vend.

Zoti Ajet, ç’mund të na tregoni diçka për Dienën. Ajo ishte vajzë plot jetë, artdashëse, shumë e frymëzuar në përditshmërinë e saj, kishte një dashuri të pamatë edhe për vajzën, Çfarë e veçonte Dienën?

-Vetvetiu Diena kishte një shpirt të brendshëm shumë të fuqishëm. Sa ishte e vogël, Diena bëri gazetarinë, punonte me Troçin, diskutonte me mua, shkruante, hidhte shënime. Pastaj filloi të pikturonte, dëgjonte muzikë. Më vonë i lindi pasioni që të merrej me tregti dhe hapi një dyqan bizhuterish. Ç’të të them për Dienën? Ishte një fëmijë shumë i adhuruar. Marrëdhënia e saj me vajzën ishte e jashtëzakonshme, si çdo nënë me të bijën, por vajza, Esiela, mbesa ime, herë pas here më thoshte: “Gjyshi, do t’i flasësh mamit?”. Unë e pyesja: “Pse?”. Më thoshte: “Ecën shpejt me makinë. Unë vetëm këtë kam dhe juve. Po të më ikë edhe kjo, me kë do të jetoj unë?”. Ose: “Gjyshi, foli kësaj, se kjo shkruan në celular gjatë rrugës kur ecën me makinë”. Interesante edhe ajo, d.m.th. një fëmijë 8 vjeçe, jo shumë e vogël, por që e kuptonte, e zgjuar.

Edhe vajza kishte filluar të mësonte pianon.

-Po, pikturonte. Unë në shtëpi i kam ato pikturat e Esielës. Diena e çonte edhe nëpër kurse, por ajo e kishte të trashëguar nga Dori dhe nga babai i Dorit, sepse babai i Dorit ishte “Piktor i Merituar”, Ramadan Karanxha. Edhe ajo kishte atë talentin e saj, ndoshta gjenetike, por kishte shumë dëshirë. Ato pikturat e Esielës unë i mbaj, i kam vendosur në një dhomë dhe sikur ngushëllohem kur i shikoj. Esiela kishte qejf edhe të imitonte gjyshin. Kjo është interesante se ajo gjyshin e saj nuk e kishte njohur. Ime shoqe më thoshte: “Po kjo me Ramadanin nuk ka ndenjur një ditë, ku i gjeti këto zakonet e këtij?”.

Interesante, se nuk e di si ndodhin këto. D.m.th. ajo ishte e çuditshme. Ose bënte shkrime. Kishte bërë një letër për gjyshen.

-Diena ishte e veçantë. Ishte një fëmijë i mbarë. Mbaroi edhe Masterin këtu për Financë, punonte, kishte kërkesa ndaj vetes, madje ishte bërë gati që të blinte një shtëpi në Durrës. Nuk deshi Zoti apo fati. Ajo mendonte më shumë për vajzën e saj, mendonte për veten sepse sapo kishim festuar 30-vjetorin e datëlindjes së saj, më 7 tetor ajo mbushi 30 vjeç. Vështirë që në pak kohë të thuash gjithçka për atë vajzë, për atë mbesë, për atë grua. Edhe Roza ishte një grua e jashtëzakonshme, që kujdesej dhe sakrifikonte për të tjerët. Nuk e di se ku e gjente gjithë atë forcë. Nuk zemërohej me askënd. Besonte shumë te Zoti, besonte aq shumë. Kur ne jetonim në plazh në vitin 1991, ajo e merrte qiririn e ndezur nga kisha e Shën Gjergjit këtu dhe shkonim në plazh në këmbë, e atëherë nuk kishte edhe mjete. Gjithë rrugës kujdesej që të mos shuhej flaka e qiririt dhe ta çonte në shtëpi të ndezur. Ishte e jashtëzakonshme, e sjellshme, punëtore, familjare. Nganjëherë, kur ndodh tragjedia, njeriu ka atë nxehjen e momentit dhe më vonë, kur kalon koha, fillon e mendon që nuk i ke më ata, d.m.th. unë u ngrysa plot dhe u gdhiva bosh. Por kur kjo zbrazëti vazhdoi e vazhdoi, si të thuash u thellua ajo plaga, u mahis.

Zoti Ajet, a keni ndonjë kujtim që e ruani nga bashkëshortja dhe nga vajza?

-Po, kam shumë kujtime. Kam sistemuar jo vetëm fotot, por edhe pikturat, materiale të ndryshme. I kam sistemuar në një dhomë atje në fshat ku kam një shtëpi. Gati e kam kthyer në muze. Është një dhomë ku nuk futet njeri, nuk pushon njeri, por atje janë vendosur gjërat vetjake të sime shoqeje, të Dienës, të Esielës, piktura, aparate, lapsat me të cilat pikturonte Esiela, fletët e bardha, gjithçka sepse shtëpia ku banonte Diena me qira nuk u dëmtua dhe munda t’i marr. Është edhe një gjë tjetër shumë interesante, që Diena kishte një shoqe shumë të ngushtë, një farmaciste këtu në Durrës. Dhe kur ishim me pushime në Sarandë në verën e 2019-s, kam qenë me djalin, me vajzat e tij, të gjithë familjarisht, është bërë një bisedë midis nuses së djalit tim që është italiane dhe Dienës. Diena fliste italisht dhe anglisht. I thotë: “Sikur të më ndodhë ndonjë gjë mua, gjithçka që kam unë do t’ia jepni Nadës, shoqes sime”. Dhe ndodhën ashtu siç ndodhën gjërat. Unë po i sistemoja gjërat dhe më telefonon djali nga Italia. Më thotë: “Babi, çfarë ka Diena gjërat e saj, do t’ia japësh shoqes së saj sepse Diena e ka lënë me gojë”. Thashë: “Po kjo kur ka ndodhur, ç’është kjo, si ka mundësi kjo, çfarë parashikoi kjo?”. Ashtu bëra, ia dhashë shoqes, siç i kisha të paketuara. I shkova te puna dhe i thashë: “Të lutem, këto janë për ty. I mban apo s’i mban, unë do të çoj amanetin në fund”. Jeta kjo është. Falë mbështetjes së shokëve, të miqve, të dashamirësve nuk do të vazhdojë jeta si më parë, por do të mbijetoj, do të jetoj me kujtimin e tyre. Kaq

G.M./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh