Kur sistemi i drejtësisë nuk vepron për të dhënë drejtësi, por për të krijuar privilegje për shtresën e saj të veçantë sunduese, shteti i dështuar është pranë, është një hap larg humnerës, është punë ditësh ta shohësh gërmadhë!? 

Pse në sistemin e drejtësisë nuk duan të kuptojnë se duke kërkuar e mbrojtur paga shumë më të larta, janë shndërruar në figura të urryera për shumicën e njerëzve të thjeshtë, e mbi të gjitha, të varfër? Nëse shqiptari sheh se sistemi i drejtësisë është i tej mbushur me mostra që detyrën e përgjegjësinë e madhe që ju është besuar e shohin si mjet për pasurim dhe difererencim të dukshëm mënyre jetese nga masa, rrënohet një shtyllë e shtetit dhe s'ka shtyllë tjetër më, që e mban ngrehinën në këmbë?! Do shembet patjetër!

E habitshme të dëgjosh e shohësh se nuk del institucioni para publikut, por përdorin të ashtuquajtura shoqata gjyqtarësh e prokurorësh për të mbrojtur një rritje marramendëse pagash, duke e bërë këtë përmes sulmeve që i bëjnë kryeministrit të Shqipërisë. Po, ç’punë kanë këto shoqata, që madje ndonjë as nuk figuron të jetë ligjore, me pagat, sistemin e pagave dhe raportet në paga, që qendrojnë në mes tre pushteteve? Dikur kam drejtuar një shoqatë, e regjistruar në gjykatë, person juridik, Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë. Kishim një statut, qëllimi i të cilës shprehej në shumë nene për të përhapur kulturën e ruajtjes dhe koleksionimit të trashëgimisë materiale e kulturore të shqiptarëve. Kaq. Kur na ftonin për konsultimin e ndonjë ligji, shprehnim kërkesat tona, por nuk e ndryshonim dot projektin e Ministrisë së Kulturës për ligjin mbi trashëgiminë materiale të vlerave koleksionuese, ndonëse me ndonjë pikë nuk ishim dakord. Çfarë pune ka një shoqatë gjyqtarësh me pagat e sistemin e pagave? E përfshin këtë qëllim statuti i tyre?

Ju drejtova Google, teknologji e cila me dashamirësi më afroi çka i kërkova:   Zgjodha Indinë për t’i prurë lexuesit si shembull, vendi me popullsinë më të madhe në botë. Të dhënat e vitit 2026 tregojnë se Presidenti që drejton vendin me afërsisht 1 miliard e 500 milon frymë, merr një pagë prej 5.900 dollarë amerikanë në muaj; Kryeministri 3.300 dollarë amerikanë në muaj dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Indisë merr 3.000 në muaj, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës Supreme marrin nën 2.800 dollarë në muaj.

Po fqinjët tanë? Po shohim shkurt vetëm sistemin Italian të Drejtësisë, një vendi më se të pasur europian: Niveli fillestar i pagës magistrit, përafërsisht 43.292 € në vit; niveli mesatar 61.000 € në vit. Pagat për gjyqtarët rriten me 6% çdo dy vjet në fillim të karrierës së tyre, duke u ngadalësuar më vonë në një rritje prej 2.5% çdo dy vjet. 

Nga sa shihet te shtetet europiane, parimet që rregullojnë pagat midis tre degëve të qeverisjes (Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor) bazohen në autonominë funksionale, barazimin e pagës për pozicione të barabarta dhe pagesa specifike për secilën detyrë. Pagesat përcaktohen nga rregulla të qarta, me ndalime për akumulimin dhe kufizimet e shpenzimeve për të siguruar një institucion fuqi të drejtësisë?

Pak gjasa ka të ndodhë kështu tek ne? Kur sheh se merret një noter dhe ngrihet në nivelin më të lartë të hetimit, pak do besohej në këto organe? Kur dëgjon se kemi me shumë të burgosur pa gjyq se sa ata me gjyq, ç’bëhet kështu? Kur përmendet një shifër astronomike dosjesh me çështje gjyqësore, që rrinë prej vite e vitesh pa i prekur…, çfarë të thuash, që funksionon sistemi, kur ajo duket açik që s’ndodh?

Rrjedh pikërisht nga këto sjellje morale që njerëzit, në shumicë, kur u drejtohen kutive të votimit, ia japin atë Partisë Socialiste, Edi Ramës, dhe do vazhdojnë me siguri t’ja japin! Shteti shqiptar ka nevojë për ekuilibër pushtetesh dhe opozitë të fortë.

A është e mundur të ndiqen e të sigurohen këto parime? Vështirë! Reforma në drejtësi ishte nismë e nxitur dhe e zbatuar nga Partia Socialiste, me qëllim që t’ jepte fund njëherë e mirë ditëve fatkeqe kur Sali Berisha i tërhiqte zvarrë gjyqtarë, hetues e prokurorë, ndonëse e kish mbushur sistemin plot e përplot me fisin e bashkëfshatarët e tij? Askush nuk e mendonte se Frankenstein që krijuam, nga fantashkencë dhe thriller, do shfaqej si histori shqiptare me pasoja shkatërruese. Kështu ndodh gjithnjë me ata që ndjekin pushtetin dhe lavdinë. 

Hierarkia e sistemit të pagave në shtetet e ngritur përsëmbari prej shekujsh (jo nga amatorë fshati) referon një sistemi të strukturuar pagash, që rrjedhin prej gradave, prej standardit të pagave që përdoret brenda tre pushteteve, administratës publike dhe shërbimit civil. Ky sistem ka në bazë dhe projektohet për të afruar barazi, që, siç e shohim qartë, nuk e afrojnë këta arrogantët e drejtësisë që shfaqen herë si institucion, herë si shoqata; kërkesa për rritje pagash kërkon edhe transparencë të qartë, që, siç e shohim, nuk e bëjnë, por e lënë të errët; sistemi europian është projektuar që të shërbejë edhe si nxitje përparimi për punonjësit e shtetit të të tre pushteteve, që duket se te ne po kryen të kundërtën.

Nuk ka dhe nuk mund të prodhojë asnjë nxitje, përpos se deformimit që i jep gjyqtarit një pagë më të lartë se presidentit? Të thuash “rrënim moral” është përkëdhelje. Duhet me thënë “Shtet i rrënuar moralisht e fizikisht”. Për respekt të lexuesit duhet përmendur se gjyqtar e prokuror të varfër, me të njëjtin nivel jetese si shumica, pati vetëm në diktaturë. Shpërblimi i individit atëbotë bëhej me ndonjë medalje, me të cilat soji i tyre sot, mender tallet! O lexonjës, nuk ka gjasa të njohësh ndonjë nga sistemi i drejtësisë që nuk ka shtëpi ose nuk i del llogaria të shpjerë për arsimin fëmijën jashtë Shqipërisë!?

Kur sistemi i drejtësisë nuk vepron në sallën e gjykatës, ja beh herë pas here ndonjë Marianë, që i fut plumbin fajtorit, atij që i përdhunoi dhe vrau vajzën 7 vjeçare? Kur sistemi i drejtësisë nuk vepron në institucionet drejtuese të tyre, është detyrë e deputetëve, e parlamentit, që t’I “vrasë”, t’i rrënojë ata, para se prej tyre të shohin rrënimin e shtetit. Edi Rama, është detyra juaj që. duke i dhënë fund orvatjeve të dëshpëruara për t’i dhënë prova Europës se reformuat sistemin e drejtësisë, një plus për të nxituar futjen në BE, të gjeni zgjidhjen e bashkëpunimin ligjor për të “vrarë” mostrën e frankeshtajnit që krijove!?

Ju e kuptoni më së miri se jeni bërë synim për t’u goditur prej tyre? Më mirë të bësh “gabim” në sjelljen me ta sesa të bësh gabim në qëndrimin ndaj popullit?! Më mirë të vazhdosh të luftosh me armën që të është thyer se sa të luftosh me duar bosh. Shumicën e popullit e ke me vehte.