Këshilli i Imunitetit shqyrtoi sot kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Balluku, në një mbledhje ku ajo s’ishte e pranishme. Balluku u përfaqësua nga avokatët e saj, motra Pamela Qirko dhe Ardian Kalija, të cilët u gjendën përballë drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Brahos dhe dy prokurorëve, Dritan Prençit dhe Dorina Bejkos.

SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e Ballukut me argumentin se në duar kanë prova të reja. Prokuroria e Posaçme e konsideroi Ballukun si rrezik për të prishur provat dhe për të kryer krime të tjera, ndaj kërkoi masën e arrestit me burg.

Në një lidhje direkte me emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report TV, gazetarja Esiona Konomi solli dy detaje nga mbledhja e sotme.

Motra e Ballukut nuk ka folur fare në mbledhje dhe veç ka mbajtur shënime, ndërsa prokurorët kanë specifikuar se masa më e përshtatshme për hetimin është arrest në burg.

Esiona Konomi: Balluku ka sjellë në atë mbledhje për të mbajtur shënim gjithçka, motrën e saj që është paraqitur si avokate dhe nuk e ka marrë fjalën në asnjë moment, por ka mbajtur shënim gjithçka është thënë.

-Motra e Ballukut vetëm ka mbajtur shënim, s’ka folur fare?

Esiona Konomi: Jo, nuk ka thënë asgjë. Ka mbajtur shënim gjithçka është thënë nga prokurorët dhe deputetët. E ka shoqëruar Ballukun edhe kur është marrë në pyetje nga SPAK.

-A ka pasur elementë të reja që ka paraqitur SPAK që s’janë bërë publike më parë kur bëri kërkesën e parë për pezullimin e Ballukut?

Esiona Konomi: Për herë të parë, SPAK ka artikuluar se ka nevojë ta ketë të izoluar Ballukun në arrest me burg. Ka thënë që "ne kemi nevojë që ajo të jetë e izoluar, pa mundësi për të komunikuar me të tjerët, sepse nëse është jashtë, dhe mban komunikime me vartësit, ajo mund të kryejë veprime të kundraligjshme përmes vartësve të saj. Ajo ka emëruar vetë në pozicione kyçe si drejtorë, të besuarit e saj. Kontakti me ta është një lloj sikur në detyrë publike të ishte vetë ajo".

Analisti Arbër Hoxha thotë se veprat e Ballukut kanë lehtësuar punën e Prokurorisë.

Arbër Hoxha: Prokurorisë ia ka bërë të lehtë punën ajo që ka bërë Balluku dhe kërkohet masa ekstreme. Për veprat penale që ajo dyshohet dhe prokuroria është e bindur që ka mbledhur prova të mjaftueshme, në maksimum rrezikon deri në 35 vite burgim. Është Gjykata e Parë dhe e Apelit që do ta gjykojë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
‘Po sikur ta kesh kapur ti dhe partia jote SPAK-un?’- Hoxha batuta me Arlind Qorin: Ne s’kemi asgjë në dorë veç forcës së fjalës

Juristi Arbër Hoxha ka shkëmbyer batuta në studion e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV me kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ku po diskutohej për imunitetin e Belinda Ballukut dhe punën e SPAK.

Hoxha me shaka e pyeti Qorin mos ndoshta Lëvizja Bashkë që ai drejton kishte ‘kapur’ SPAK-un dhe përmes tij po ‘godiste’ politikanët e vjetër për t’i nxjerrë jashtë loje.

“Po sikur SPAK të jetë kapur nga Lëvizja Bashkë dhe zoti Qori të jetë i vetmi instrument për të larguar... Kjo është për hir të së vërtetës, sepse Kurti erdhi në pushtet vetëm atëherë kur u lirua rruga me pa të drejtë nga Gjykata Speciale dhe sigurisht që elefantët e politikës e kishin mbytur. Rruga e Kurtit drejt pushtetit dhe të legjitimuar dhe plotësisht të bindur, erdhi pasi këta elefantët e politikës, të korruptuar mendoj unë, ishin dhe shkuan aty ku duhet të shkonin, me pa të drejtë mendoj unë, por kjo është një çështje tjetër. Pra le ta themi edhe për batutë, po sikur të jetë kapur nga Lëvizja Bashkë SPAK-u dhe të heqin të gjithë këta të korruptuarit dhe të vijnë vetë në pushtet?”, tha mes të tjerash Hoxha.

Ndërkohë Qori iu përgjigj shkurt dhe prerë Hoxhës, duke i thënë se Lëvizja Bashkë kishte vetëm forcën e fjalës dhe të argumentit. Qori shtoi gjithashtu se Lëvizja Bashkë s’kishte asgjë tjetër në dorë dhe asnjë ndikim te institucionet e vendit.

“Ne nuk kemi asgjë në dorë përveç forcës së fjalës dhe forcës së argumentit. Sa mund të peshojë fjala ime në këtë diskutim, aq është edhe ndikimi ynë mbi institucionet në përgjithësi”, iu përgjigj Qori.

Ora 22:07
‘Balluku’/ Hoxha në ‘5 Pyetjet’: Përsëritëse në mënyrë organizative e korrupsionit! Gazetari paralajmëron ‘përplasjen finale'

Lidhur me rastin Balluku, Gazetari Poli Hoxha tha në “5 Pyetje nga Babaramo” në Report Tv se zv/kryeministrja e ka pasur praktikë pune çështjen e tenderave e klientelizmit. Madje, ai e quan “përsëritëse në mënyrë organizative e korrupsionit”. Hoxha përsëriti se rezultati i fundmë do të jetë akuza e organizatës së strukturuar kriminale.

Poli Hoxha: Balluku ka rezultuar recitiviste dhe sa vijnë e po i dalin, me këto rrugët që shemben çdo ditë del nga një çështje, është një zyrtare shteti që të paktën çdo 5-6 vjet, madje do të dalin edhe kur ka qenë në autoritetin e Aviacionit Civil, e cila e ka pasur praktikë pune këtë çështjen e tenderave, barazisë, klientelizmit, korrupsionit etj. Përsëritëse në mënyrë organizative e korrupsionit! Ndërkohë që u kërkua masa e parë, është mbajtur patjetër nën vëzhgim dhe shkoi e vodhi një drekë. Është për një drekë 20 mijë dollarëshe ku e çoi Rama për ta mbrojtur për një institucion tjetër. Është kapur në flagrancë me ndërhyrje të krimit të organizuar dhe tashmë është kopsitur që në fund fare çështja Balluku do të dalë me akuzën e organizatës së strukturuar kriminale. Në mbledhjen e Këshillit janë pyetur palët mbrojtëse nga deputetët e opozitës që ju keni dyshime, indicie, prova se kjo prokurori ka qëllime politike ndaj Ballukut? Avokati ka thënë jo dhe socialistët jo. Se çfarë thonë jashtë ata, është tjetër gjë. Po të kenë prapanicë, ta thonë atje se atje është barra e provës.

Më tej, në një debat me Edmond Petrajn, Hoxha tha se “po bien rrugët” që Balluku ka tenderuar, duke iu referuar situatës në vend, ndërsa shpreh dëshirën që imuniteti i saj mos të hiqet.

Poli Hoxha: Po bien rrugët që ka tenderuar kjo ministre!

Edmond Petraj: S’më interesojnë rrugët!

Poli Hoxha: Na interesojnë neve! Çështja është që do të kemi një përplasje, edhe sot KE reagoi. Unë dua që të mos ia heqin imunitetin në parlament.

-Pse?

Poli Hoxha: Dua të ndodhë kjo përplasja finale. Duhet të eliminohet, kjo strukturë është krijuar për të eliminuar këta. Ose do të eliminohet SPAK me GJKKO, ose do të kemi një tranzicion të korrupsionit të rifilluar.

Ora 21:51
Imuniteti i Ballukut/ Arlind Qori: Mos presim vallë që Belinda të mbushë thesin me para dhe të çajë kufirin me mushkë? Apo të marrë armën e të vrasë dëshmitarët?

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është shprehur se janë të gjitha kushtet që Parlamenti t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut dhe ta dorëzojë atë para drejtësisë.

Komentet Qori i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku ngriti edhe disa pyetje ironike në lidhje me situatën e krijuar, ku ende nuk është marrë një vendim për imunitetin e Ballukut.

“Çfarë duhet të bëjë një ministër që të shkarkohet dhe që t’i hiqet imuniteti? Balluku vazhdon të jetë ministre e Infrastrukturës, sepse është e pezulluar nga detyra, jo e shkarkuar. Edi Rama nuk ka bërë as abc-në e përgjegjësisë politike, që në kushtet e një ministreje të akuzuar për korrupsion, të bëjë hapin më normal të mundshëm që është shkarkimi i saj. Balluku sot na thotë Prokuroria, akuzohet për krime, të cilat në rast se vërtetohen, do të shkojë dënimi deri në 35 vite burg. Kam përshtypjen se më shumë se 35 mbetet vetëm dënimi me burgim të përjetshëm.

Pra niveli i krimeve për të cilat jo vetëm dyshohet, por edhe akuzohet zonja Balluku, është aq i rëndë, saqë këtu nevojiten të merren masa si ato që propozon prokuroria. Prokuroria pretendon që Balluku dhe njerëz pranë saj, edhe të fortë, edhe zyrtarë, edhe bandit me kollare, edhe bandit pa kollare, kanë shkuar dhe kanë kërcënuar dëshmitarët. Prandaj përsëris pyetjen, çfarë duhet të bëjë më shumë një ministër për t’ju hequr imuniteti.

A duhet të presim që Balluku të mbushë një thes me para dhe të çajë kufirin natën me mushkë? A duhet të presim që Balluku të marrë një ditë armën dhe të vrasë dëshmitarët apo kundërshtarët e vet politik? Fundja kur u arratis Arben Ahmetaj, pse të mos arratiset edhe Balluku”, tha mes të tjerash Qori.