Ervin Salianji ka reaguar pas rrëzimit me 82 vota në Kuvend të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Në një reagim në rrjetet sociale, ai thotë se vendimi i sotëm është fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë.
Salianji thotë se Rama dhe socialistët provuan se drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht dhe me standarde të dyfishta.
“Vendimi i sotëm në parlament rrëzoi propagandën për “shkëlqimin” e drejtësisë së re dhe i dha fund një epoke të shkurtër, por të zhurmshme, gati 10-vjeçare, ku u shit iluzioni se një drejtësi e re, e mbështetur politikisht, do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Vendimi i sotëm është qartësisht fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë, një betejë institucionale, publike dhe politike ndaj asaj që me propagandë u quajt “drejtësia e re”. Sot, Rama dhe socialistët rrëzuan mitin që kishin ngritur prej vitesh për një drejtësi të pagabueshme. Ata provuan se për ta drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht, vetëm kur godet kundërshtarët, vetëm kur burgos ata që denoncojnë. E vërteta është e thjeshtë: Rama dhe qeveria nuk ka dashur kurrë drejtësi të pavarur dhe te barabartë për të gjithë. Ka dashur një drejtesi për ta përdorur si mekanizëm mbrojtjeje ose për ta përdorur me standarde të dyfishta, një instrument presioni dhe propagande, jo një garanci për shtetin e së drejtës. Nga sot nis epoka e re, Rama në përballje të hapur kundër SPAK dhe drejtësisë!”, shkruan Salianji.
Lajmi kryesor:
Çështja ‘Balluku’, opozita reagon në bllok: Partia Socialiste kundër drejtësisë












