Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së grupit të PS, kryeministri Rama u shpreh qartë për rastin Balluku duke thënë se do të presë raportin e Mandateve, ndërsa SPAK kërkon me ngulm arrestimin e zv/kryeministres. Ai përsëriti se pezullimi i saj prej GJKKO është ndërhyrje e pushtetit gjyqësor në legjislativ, por tha se do ta mbështesë reformën në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve.
Për avokatin Romeo Kara, i ftuar në “Studio Live” në Report Tv, rasti Balluku tregon se duhet t’i jepet më shumë rëndësi fenomenit sesa njeriut.
“E kanë thënë edhe partnerët tanë europianë që çështja Balluku është një test, por nuk duhet t’i japim rëndësi më shumë një njeriu sesa një fenomeni”, tha avokati.
Në optikën e tij, fokusi duhet të jetë te lufta ndaj korrupsionit, pavarësisht ngjyrimit politik.
“Vendi nuk bëhet nëse ne nuk i shpallim luftë korrupsionit pavarësisht ngjyrave politike. Duhet ta forcojmë dhe smund të nxjerrim para publikut që ne jemi ata që donim drejtësi dhe këta të SPAK-ut po na çakordojnë. Në publik krijon diskursin jo normal duke treguar që delja e zezë në shoqërinë shqiptare janë ata atje, ndërkohë që është e kundërta”, tha Kara.
Ndërsa gazetari Ardit Rada, i cili ndodhet në lidhje direkte, iu rikthye kritikave të kryeministrit ndaj Prokurorisë së Posaçme për çështjen e 21 janarit. Sipas Radës, SPAK po godet vetëm nga ana e qeverisë dhe paratë e vjedhura s’mund të krahasohen me humbjen e jetës.
“Shqetësimi kryesor është që ne s’kemi gjë me pavarësinë, por me paanshmërinë e SPAK. Shohin që SPAK po godet vetëm nga ana e qeverisë dhe s’është i detyruar që të godasë opozitën, por ka disa çështje që kanë ndjeshmëri shumë më të lartë sesa para të vjedhura. Është vrasja, humbja e jetës së 4 qytetarëve dhe SPAK s’e ka çuar ende çështjen deri në fund. Ky është shqetësimi i mazhorancës”, u shpreh gazetari.
Rada shtoi se “s’dimë sa dëm bëri Balluku në tunelin e Llogarasë”, rast ku zv/kryeministrja është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë. Ai vlerësoi fjalët e kryeministrit për 7 çështjet ku priten ndryshimet ligjore që do të bëhen në konsultim e bashkëpunim me Komisionin Europian.
“Ajo që më kënaqi dhe gëzoi në fjalën e Ramës sot ishte kujdesi që ai shprehu për t’i konsultuar të gjitha ndryshimet ligjore me Komisionin Europian dhe ekspertë të huaj që është vënë në dispozicion”, tha Rada.
Sa u përket këtyre ndryshimeve ligjore në nenin 242 në Kodin e Procedurës Penale që ndalon gjykatat të pezullojnë nga detyra postet e presidentit, kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH, Kara e Rada ndajnë mendime tërësisht të kundërta.
Kara thotë se asnjë ministër s’duhet të ketë imunitet dhe barazia para ligjit duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, duke i qëndruar tezës së tij për luftën kundër korrupsionit.
“Asnjë ministër s’duhet të ketë imunitet. Duhet të rrisim shkallën e përgjegjësisë dhe efektivitetin e luftës kundër korrupsion që ky vend të bëhet sa më i begatë. Çdo vend ruan në radhë të parë dinjitetin e njeriut. Kur njeriu s’ka dinjitet, e jep edhe jetën. Nenet 17, 18 të Kushtetutës të barazisë para ligjit të jenë njësoj për të gjithë”, tha avokati.
Gazetari mendon se mazhoranca ka plotësisht të drejtë t’i propozojë ndryshimet.
“Paraburgimi si koncept duhet hequr për çdo qytetar për disa vepra penale sepse janë mbushur burgjet, jemi bërë si ato vendet në Ekuator. Sa i përket në aspektin politik dhe sjelljes së mazhorancës, kanë të drejtën të propozojnë edhe ndryshime”, tha Rada.
Në përmbyllje të bisedës, avokati Kara tha se pavarësisht se nuk ka simpati për Ballukun, nuk do t’i pëlqente ta shihte në burg. Nga ana tjetër, as nuk pranon që të preket procedura dhe të kryhen ndryshimet.
“Duke qenë se është ministre femër, nuk do të doja ta shihja në burg. Më vjen keq ta shoh në atë gjendje, mund të mos kem simpati, por më vjen keq. Është nënë. Me sinqeritetin më të madh them do të doja mos ta shihja në burg, por jo të preket procedura. S’mund ta ndryshosh procedurën kur ka ardhur uji në derë”, përfundoi Kara.
Komente












Ke te godase tjeter? Deshmitaret e Jéhovah Godet korupsionin dhe korrupsioni behet nga ata qe kane pushtet jo nga ata qe shesin banane
Përgjigju