Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Mundësia, Barbara Doda thotë se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen, që ditën e parë që u mor nën hetim.
Në një intervistë për "Studio Live" në Report Tv, Doda u shpreh se çështja e saj nuk duhet të kishte shkuar te Gjykata Kushtetuese.
"Çfarë ndodh në Shqipëri është gjithmonë e pajustifikueshme. Kjo nuk duhet të kishte shkuar as në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi një zëvendëskryeministre, e dyta në radhë, që akuzohet, është nën akuzë. Jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por përdor çdo mekanizëm për të mbajtur karrigen. Në asnjë vend të botës, kjo nuk duhej të shkonte në asnjë lloj gjykate sepse duhet të ishte bërë gjëja e duhur dhe e moralshme, zëvendës kryeministre, ministre, deputete, e akuzuar për miliona euro korrupsion, duhet të kishte dhënë dorëheqjen ditën e parë të hetimit, jo më të akuzës. Këta kanë vendosur ta mbajnë peng shtetin.", theksoi ajo.
Doda deklaroi se Partia Mundësia do mbledhë 100 mijë firma në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
"Ne gjithmonë jemi në terren, ne jemi qenë partia e parë, vjet para zgjedhjeve, kemi thënë jemi me drejtësinë. Kjo ndodhi kur administrata shtetërore dhe militantët e PS rrethuan SPAK kur Erion Veliaj ishte në seancë gjyqësore. Ne sa herë ka ndodhur diçka, kemi qenë aty prezent. Ne po bëjmë një fushatë, për të mbledhur 100 mijë firma. Edhe mbledhja e firmave, ne jemi në terren, është një protestë. E vetmja mënyrë që gjërat të ndryshojnë në Shqipëri, është të ketë drejtësi. Ne kemi vendosur dhe po mbledhim 100 mijë firma në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.", tha Doda.
Sipas saj, për herë të parë drejtësia po heton politikanë që dukeshin të paprekshëm.
"Për herë të parë në Shqipëri, ka drejtësi. Erion Veliaj, i zgjedhur me votat e qytetarëve, është marrë nga zyra e tij dhe është çuar në burg. Kemi Belinda Ballukun, që të gjithë e mendonin të paprekshme, që është në akuzë dhe kërkohet nga SPAK heqja e imunitetit të saj. Ne do të bashkohemi me qytetarët për t’u bërë presion qytetarëve, duhet të zgjedhim me kë jemi, me drejtësinë apo me të korruptuarit. Nuk mund të jemi me të dyja.", tha Doda.
Lidhur me rrugën Qukës- Qafë Plloçë, Doda u shpreh se një aks ishte bllokua, si dhe kishte çarje që ishin mbuluar me bitum.
“Morëm rrugën e Qofë Plloçës, Erald Kapri disa herë e ka denconcuar këtë rrugë. Shkova dhe vërtet aty gurët binin gjatë gjithë kohës dhe kishte një aks të bllokuar. Ndaluam për të parë aty, çfarë pamë ishte e pabesueshme dhe qesharake. Ne gjetëm në një pjesë të aksit, kishte çarje. Është surreale. Këto çarje ishin mbuluar me bitum. Gjetëm kusinë ku ishte djegur ky bitum. Me një kusi, bitumi që digjej aty, në autostradë ishte kanaçja me të cilën ishte marrë bitume. Ishte e pabesueshme. Nuk është papërgjegjshmëri, është pasoja e korrupsionit.", nënvizoi ajo.
Doda shtoi se qytetarët kanë humbur besimin te opozita.
“Këta njerëz duhet të përballen me drejtësinë, nuk duhet ta pengojnë drejtësinë. Por ka edhe diçka tjetër, ndryshimi, fatkeqësisht do kohën e vet. Gjërat duhet të ndryshojnë, sidomos nga opozita. Unë mendoj që shqiptarët e kanë humbur besimin, e shoh në terren, edhe kur mbledhim firmat. E shikoj, shqiptarë të vrarë, të zhgënjyer, edhe të thyer. Jo në situatën që është. Janë jashtëzakonisht të zhgënjyer, ka 35 vite që zhgënjehen. Gjërat duhet të ndryshojnë nga ne. Vetëm me besim, duke u treguar shqiptarëve që jemi komplet e kundërta e Edi Ramës, mund të kemi shanse që gjërat të ndryshojnë në këtë vend.", përfundoi Doda.
Komente









