Në një intervistë për 'Sot Live në Shqipëri' në Report TV, analisti Alban Daci e cilësoi protestën e opozitës që do të mbahet sot si "të konsumuar politike dhe aspak bindëse për qytetarët". Duke komentuar numrat në rënië të qytetarëve që dalin në protestë, Daci tha 70% e atyre që kanë emigruar nga vendi janë nën 40 vjeç dhe ata nuk kanë interes të protestojnë më në Shqipëri.

“Pjesa e mbetur në vend, janë të rinj që kanë një qasje ekonomike me pushtetin, dhe pjesa tjetër janë pensionistë. Këta të fundit nuk kanë asnjë lloj motivi as të përplasen me pushtetin e as të protestojnë kundër tij” shpjegoi analisti.

Daci argumentoi se një protestë e suksesshme duhet të jetë spontane dhe e iniciuar nga qytetarët. Ai evidentoi mungesën e besimit të popullit ndaj mazhorancës dhe opozitës si një shkak i mos daljes në protestë “Sepse qytetari nuk gjen model diferencues mes pozitës dhe opozitës, por gjen modele krahasuese. Të njëjtat probleme që ka opozita me drejtësinë, i ka edhe mazhoranca. Atëherë përse duhet të ndryshohet kjo pozitë me opozitën kur në thelb janë njëlloj. Opozita nuk shihet as si frymëzim e as si alternativë qeverisëse. Është një opozitë e konsumuar e cila ka qeverisur njëlloj me dorën e fortë siç po qeveris Edi Rama” tha ai.

Sipas Dacit, problemi kryesor pse njerëzit nuk dalin në protestë është që qytetarët nuk ndihen të frymëzuar. “Nuk ka një lider që nuk ka faje nga e kaluara, që ka energji dhe një vision. Vetëm Shqipëria bën protesta politike. Nuk ka një opozitë në demokracitë perëndimore që rrethon institucionet e shtetit të tij, me idenë pë ta rrëzuar. Në Romë, kryetari I opozitës nuk rrethon kryeministrinë. As në Francë. Vetëm Shqipëria e ruan konceptin e partisë së masave, kur këto nuk ekzistojnë më” u shpreh ai. Duke marrë si shembull rastin e Avokatit të Popullit, Daci e akuzoi opozitën për mungesë koherence në vendimarrje dhe në linjë politike, duke insistuar se beteja e saj duhet të jetë në parlament.

“Politika shqiptare jo vetëm që nuk është avantgarde për të orientuar shoqërinë në orientime e sfida të reja, por është shumë mbrapa nevojave të qytetareve dhe është shkak për regresin institucional të vendit” tha ai.

Duke komentuar çështjen e Belinda Balluku dhe veçanërisht hezitimin e mazhorancës për t’i dhënë autorizim SPAK për arrestimin e saj, Daci tha se në një vend me demokraci normale, duhet të jetë “vetë individi që të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë.”

"Nuk është faji I SPAK që ka këtë qasje ndaj politikës, por është faji i politikës që është në konflikt interesi me SPAK", përfundoi Daci në analizën e tij.