Bushati në ‘Pa Protokoll’: Falni më shumë dashuri! Kastrati: Shqiptarët janë shembull i humanizmit! Çepani: Varfëria është ekstreme

‘Bamirësia shëron plagë varfërie.’ Kjo ishte tema e diskutimit këtë mbrëmje në emisionin 'Pa Protokoll' të gazetares Anduela Ndreu në Report Tv teksa jemi në vigjilje të Krishtlindjes. Të ftuar në studio ishin Drejtori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati, aktivistja Edlira Çepani, Orges Beti dhe gazetarja e Report Tv Elda Lame të cilët ndanë eksperiencat e tyre në terren ku i gjenden pranë njerëzve në nevojë. Ndërsa i ftuar ishte edhe humanisti nga Kosova Halil Kastrati, i cili përmes një lidhje me ‘Skype’ ndau eksperiencat dhe një mesazh për shqiptarët.

Ervin Bushati përcolli si mesazh kryesor që të falim sa më shumë dashuri ndërsa theksoi se këto festa na rrisin solidaritetin dhe përkushtimin ndaj familjes.

“Duhet të ndihmojë njëri-tjetrin që të ecim përpara. Një moment kur njerëzit kuptojnë sa na duhet njëri-tjetri.”-tha Bushati.

Edlira Çepani u shpreh se Krishtlindja është një nga ato festat e bukura që na shton përkushtimin ndaj familjes dhe të tjerëve.

“Lidhet dhe me shpresën që na përcjell, lindja e një shpëtimtari, jo vetëm kur lindi por edhe mijëra vite më pas. Është shumë e rëndësishme që mesazhi i Krishtlindjes të bëhet në mënyrën e duhur. Jo vetëm të blejmë dhurata, por mirënjohje dhe solidaritet ndaj njëri-tjetrit.”-tha Çepani.

Orges Beti tregoi se prej vitesh është i fokusuar në aktivitete sociale por festat e fundvitit e shtyjnë pak më shumë ritmin e njerëzve për të dhuruar.

“Në këto kohë largohen nga stresi dhe gjërat e përgjithshme dhe dhurojnë më shumë. Prej vitesh jemi të fokusuar në aktivitetet sociale”-tha Beti.

E ftuar në studio ishte edhe gazetarja e Report Tv Elda Lame e cila tha se shqiptarët karakterizohen nga harmonia fetare.

"Jam e lumtur të uroj të gjithë besimtarët e krishterë bashkë me kontributin që gjithësecili prej nesh japim në fushat tona.”-tha Lame.

Drejtori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati teksa po tregonte eksperiencën e tij të solidaritetit, tha se prej 9 vitesh në kohë festash ka qendruar pranë fëmijëve me aftësi të kufizuara, atyre që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë. Bushati tregoi se ata janë shumë krijues ndërsa kartolinat e tyre janë shpërndarë në disa institucione.

"Janë dy shkolla të ndara pranë njëra-tjetrës. nxënës të mbledhur nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Ka qenë emocionale dita kur kam qenë pranë tyre për festa. Jam përpjekur të krijoj një simbolikë qytetare. Të kemi një konkurs pikture e veprash artistike. Ata janë shumë krijues. Kam zgjedhur kartolinën e vitit të ri prej vitesh. Kartolinën që kam ndarë dhe në funksionin e deputetit, kanë qenë krijime të këtyre fëmijëve. Ku ka më mirë se të kesh një krijim të një fëmije që e sheh botën si ne, por me aftësi të kufizuara. Kanë krijime shumë të bukura. Duhet t’i kemi më pranë shoqërisë tonë. Printuam 3-4 mijë kartolina që janë ndarë në aksionerët kryesorë të shoqërisë shqiptare."-tha Bushati.

Edlira Çepani ndau një tjetër eksperiencë. Ajo theksoi se ka vite që angazhohet në terren, vullnetarisht.

"Ndonëse me mundësi shumë të pakta, me miq e shokë shumë të mirë, jam munduar të bëj diçka me aq sa kam mundësi. Një pak që ne i çojmë për festa nuk i ndryshon jetën një fëmije por një mbështetje për mënyrën si e sheh veten. Ne nuk duhet ta bëjmë mbështetjen e solidaritetin vetëm për festa por është më e ndjeshme shoqëria në këtë kohë. Duhet bërë përditë, kur kemi mundësi. Jo vetëm dhurata materiale, por te ata fëijë që shkojmë, t’ju japim shpresën se mendon dikush për ta. Kemi ndihmuar ata që mbetën në çadra nga tërmeti. Ka një varfëri ekstreme që ka nëvojë për një shtysë, një dorë. Jo vetëm të çosh diçka, por të jesh së paku atje present ku ka nevojë.”-tha Çepani.

Orges Beti tha se e nisën si një grup studentësh dhe kanë pasur skepticizëm në fillim, por sheh se pas disa vitesh shoqëria është bërë pak më e mirë. Ai theksoi se shqiptarët dhurojnë ndërsa tregoi se vijon të jetë në terren për të ndihmuar sadopak njerëzit në nevojë.

“Atë gjënë e vogël, edhe 1 lek. Nga diçka materiale por edhe dashuria. Duhet t’i përfshijmë njerëzit. Kemi bërë një lloj binjakëzimi. Familjet që kanë mundësi ekonomike ‘birësojnë’ një familje që s’ka mundësi. Shqiptarët dhurojnë. Ne jemi një komunitet i vogël, nëse shkon në një fshat të thellë, askush s’ta mbyll derën. Jemi bamirës.”-tha Beti.

Elda Lame është e mendimit se ata shqiptarë që s'kanë, e kuptojnë më së miri se çdo të thotë të jesh i varfër dhe e ka më të zgjeruar pjesën e shpirtërores. Por përveç atyre që ndodhen në terren, jo vetëm i bën më shumë njerëzor se ç'janë por i ndihmon të forcojnë idenë që të kuptojmë problemin e tjetrit.

“Ndoshta kontributi ynë në emsionin ‘Pa gjurmë’, në kërkim të njerëzve të humbur sigurisht që dera është e hapur edhe për problematika të tjera sociale. Historitë që kanë ardhur në emission kanë qenë histori që na kanë prekur. Kemi ndihmuar edhe falë solidaritetit të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe atyre që jetojnë nëpër botë.”-tha Lame.

Humanisti nga Kosova Halil Kastrati, ka 12 vite aktivitet për të mbështetur familjet në nevojë. Kastrati tha se nga themelimi i shoqatës ‘Jetimat e Ballkanit’ ka arritur të strehojë 1300 familje, të cilët janë bërë me shtëpi të reja.

“Kemi kuzhinat tona humanitare në Prizren dhe një shtëpi të moshuarish në Suharekë. Shtëpitë që kemi ndërtuar janë në të gjitha trevat shqiptare. Në Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut. Këtë muaj kemi dhuruar një ndërtesë në Lezhë, kemi dhënë dhe në Berat, Tiranë, kemi ndërtuar shtëpia në Kukës. Gjithmonë mirënjohje ndaj shqiptarëve, nuk kemi hasur vështirësi në projektet që kemi nisur. Ndoshta do veçoja vështirësitë më të mëdhaja, ata me sëmundje të ndryshme. Edhe kur i gjen spitalin dhe ilaçet, asgjë s’është në dorën tonë. Dua të përcjell një mesazh. Ju dëshiroj shqiptarëve të kenë shëndet dhe të jemi më të bashkuar se punët e mëdha na bëhen të vogla. Për çështjet e humanizmit, jemi shembull. Shqiptarët për 1 orë ja ndryshojnë jetën tjetrit”-tha Kastrati.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton