Një tjetër stuhi po i afrohet bankës Deutsche në Gjermani. Që prej orëve të para të mëngjesit, me urdhër të prokurorisë, 30 agjentë të Zyrës Federale të Policisë Kriminale gjermane (BKA) kanë kryer kontrolle në selinë qendrore të bankës në Frankfurt dhe në një degë në Berlin.

Aksioni vjen në vazhdën e një hetimi nga Prokuroria mbi pastrim parash që dyshohet të jetë kryer nga drejtues dhe punonjës ende të paidentifikuar të bankës dhe përfshin marrëdhëniet e bankës me kompani të cilat i atribuohen miliarderit rus Roman Abramovich, i sanksionuar nga Bashkimi Evropian që prej marsit 2022.

Sipas gazetës Süddeutsche Zeitung, banka dyshohet se nuk ka raportuar në kohë një ose më shumë transaksione të dyshimta që lidhen me shoqëri të Abramovich.

Sipas hetuesve, në të kaluarën banka ka pasur gjithashtu marrëdhënie biznesi me shoqëri të huaja që dyshohet se janë përdorur për këtë qëllim.

E kontaktuar nga Der Spiegel, Deutsche Bank konfirmoi se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet, pa dhënë komente të tjera/ Der Spiegel