TIRANE- Banorët të cilët kanë në pronësi parcelat përreth dy varrezave të Tiranës, pikërisht asaj të Tufinës dhe të Sharrës, kundërshtojnë çmimin e shpronësimit i përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Dhe konkretisht, sipas zonave kadastrale të cilat janë në afërsi të varrezave të kryeqytetit, çmimi i tokës është përcaktuar nga 448 lekë deri në 662 lekë/m2. Por për banorët ky çmim është cilësuar mjaft i ulët, kur dihet që çmimi i tokës në kryeqytet është disa herë më i lartë.
Me nisjen e procedurave për “blerjen” e parcelave të varrezave nga shteti, Ministria e Brendshme ka bërë publike se kush do të jenë banorët të cilëve do iu shpronësohet pasuria e paluajtshme.

Por menjëherë pas marrjes së vendimit ka ardhur edhe kundërshtimi i banorëve të cilët kanë pohuar se nuk do të bien dakord me këtë çmim dhe do të kërkojnë ndryshimin e tij. Por, ky kundërshtim i banorëve pritet që të sjellë një tjetër pengesë, çka do të përkthehet në zvarritje të procedurave për hapjen e parcelave të reja të varreve në të dy zonat e kryeqytetit.

“Nisja e projektit të varrezave murale dhe shpronësimi i tokës që u bë pak javë më parë do të bëjë të mundur lirimin e një sërë hapësirash për varre të reja” pohojnë punonjës të shërbimit Funeral. Por, kundërshtimi i banorëve dhe procedura e hyrjes në fuqi të vendimit do të shtyjë hapjen e këtyre parcelave deri në fund të vitit, pasi bashkia duket se do të gjendet sërish përballë banorëve ashtu si edhe në rastin e shpronësimeve në zonën e Trenit ku po bëhet ndërtimi i bulevardit të ri. 

Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)