Pas tensioneve të së dielës në fshatin Dardhë të Librazhdit, ku banorët rrëzuan gardhin rrethues të hidrocentralit të Spatharës, situata në zonë paraqitet e qetë.
Në terren vijon të jetë e dukshme prania e forcave të Policisë së Shtetit, të vendosura për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës.
Gjithashtu, në vendngjarje shihet edhe gardhi me tela i dëmtuar dhe i shembur përtokë pas protestës së banorëve.
Menjëherë pas protestës, banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm, prej të cilit kishin qenë të privuar për disa muaj. Ndërkohë, një pjesë e tyre vijon të qëndrojë pranë burimit, duke deklaruar se u detyruan të ndërhyjnë vetë për shkak të mungesës së zgjatur të furnizimit me ujë.
“Nga nëntori që e kanë bllokuar, kemi bërë kërkesë në bashki, te komuna, absolutisht asgjë. U detyruam e prishëm vetë. Nuk kishim rrugëzgjidhje tjetër.”
“Fshati ka ngelur më shumë pa ujë sesa me ujë të pijshëm sepse pronari vuri mur rrethues, kamera dhe roje.”
Banorët shprehen se kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin pranë institucioneve përgjegjëse, por pa marrë një zgjidhje konkrete.
“Janë bërë ankesa, por s’i ka marrë njeri parasysh fare. Do të vijmë këtu çdo ditë, do të kërkojmë të drejtën tonë.”
“Edhe ai ujë që vjen është shumë i ndotur, i pistë, na kanë futur në pusetë që nuk e pijnë as derrat. Duam ujë të pijshëm, siç e kemi pasur.”
Sipas një shkrese të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), problematika është konstatuar edhe para zhvillimit të protestës. Më 5 qershor, IKMT ka njoftuar Bashkinë e Librazhdit se kompania koncesionare “Lucente”, me administrator Luan Fejzullain, që shfrytëzon burimin ujor për prodhimin e energjisë, është gjobitur me 2 milionë lekë.
Në shkresë theksohet se hidrocentrali duhet të përdorë burimin ujor vetëm pasi të jenë plotësuar nevojat e banorëve, duke i kërkuar pushtetit vendor të ndjekë më tej problematikën.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, deklaron se HEC-i ka shkelur detyrimet e përcaktuara në marrëveshje dhe se do të merren masa sanksionuese për cenimin e interesave të banorëve dhe shkeljen e marrëveshjes.
Komente










bravo banoreve te librazhdit....
Përgjigju