Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, për herë të parë nuk është në krye të protestës së opozitës së bashkuar kundër qeverisë Rama. Kryedemokrati ndodhet në Bruksel prej ditës së djeshme, ku u shpërnda edhe nga zyra e PD-së një takim me kryetaren e CDU-së.

Edhe pse dita e sotme nuk kishte një axhendë takimesh në Bruksel, të paktën jo të zbardhura nga zyra e shtypit në selinë blu, Basha ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në protestën e gjashtë që opozita mban kundër qeverisë Rama. Dhe për këtë, arsyeja duket se është shumë e fortë sesa takimet në Bruksel. Kryetari i Partisë Demokratike është thirrur nga Prokuroria e Tiranës përsa i përket dosjes së lobimit në SHBA.

Në protestë është parë bashkëshortja e liderit demokrat, e cila nën shoqërinë e ish-deputetëve të tjerë demokratë duket se do të udhëheqin protestën në mungesë të liderit.

Burime nga Partia Demokratike thanë dje për Shqiptarja.com se Basha do të qendronte mbrëmë në Bruksel dhe ende nuk kishte gjë të sigurt nëse do të ishte në protestën e sotme para parlamentit në të njëjtën kohë kur mbahet edhe seanca plenare.

Basha me lëvizjen e fundit po e shmang hapur ngjitjen në shkallët e Prokurorisë së Tiranës? Bashkë me të janë thirrur edhe Gazmend Bardhi dhe Arben Ristani.