Ka shkaktuar habi kërkesa e përsëritur e kreut aktual Lulzim Basha për vettingun e politikanëve të të gjitha niveleve. E ka kërkuar dhe më parë, por “harruar” hetimin e të afërmëve të zyrtarëve të lartë, gjë që përjashtonte automatikisht kunetërit, dhëndurët dhe baxhanakët e “kamur” deri në krimbje në para.
Është ngritur në “institucion” tashmë nga zyrtarët e korruptuar kalimi i pasurisë në emër të të afërmëve të tyre, në emër të miqve të tyre, apo dhe të bashkë-sportistëve të tyre, e deri tek gaztorë që u ngrysën pa brekë dhe u gdhinë milionerë me vila e kompani brenda e jashtë vendit.
Por tashmë Basha është “trimëruar” me të vërtetë teksa e ka “shtrirë krahun” duke kërkuar një vetting total për politikanët dhe të afërmit e tyre, por është kujdesur fort për të mos përmendur sekuestrimin e pasurive të politikanëve të vëna në mënyrë të paligjshme. Koncidencë apo harresë, këtë mund ta shpjegojë vetëm Lulzim Basha.
Socialistët janë duke e shqyrtuar platformën e e paraqitur nga PD për vettingun e politikanëve, që më pas nëse bie dakord, të kalojë në Parlament, ku është e nevojshme për të bashkuar votat për të bërë ndryshimet përkatëse në Kushtetutë.
Opinionistë afër dhe larg opozitës e kanë komentuar këtë lëvizje të Bashës si një tentativë për të frenuar “foltoren” e Berishës në të gjitha qarqet e vendit, e cila si në lojën e shahut politik po “ha” ushtarë të Bashës dhe të PD nga të gjitha krahët. Ku ithtarët e kanë krahasuar me një “mbretëreshë” të vërtetë për rivitalizimin e PD, rikthimin e saj në vlerat e dhjetorit të vitit 1990, megjithëse të bjerruna as më pak dhe as më shumë nga vetë Sali Berisha për 30 vite me radhë.
Berisha s’po e kundërshton vettingun e politikanëve, të paktën zyrtarisht. Madje duket i pajtuar me vettingun e kërkuar nga Basha, që me sa duket i volit edhe atij. Prandaj deri më tani nuk është shprehur në mënyrë publike as pro as kundër, pavarësisht se po “sondohet” fort nga Basha dhe mediat afër tij se është një skemë për të larguar llumin dhe të korruptuarit nga politika.
Madje kryetari aktual i PD arrin deri atje sa thotë se ka ish ministra të PD të cilët kanë “lëvruar” korrupsionin në 8 vitet e qeverisjes së PD në mënyrën më të turpshme, dhe në 8 vitet e opozitës as që janë afruar derës së selisë së demokratëve buzë Lanës për të kontribuar sadopak për këtë parti që i pasuroi, por janë kujdesur për të dyfishuar pasurinë në bashkëpunim me Ramën.
Teksa një ditë më parë u këmbëngul nga mediat se cilët janë ish-ministrat e PD që kanë janë pasuruar gjatë qeverisjes së Ramës, Basha u shpreh në mënyrë lakonike se “i dini ju të medias. I dinë pronarët tuaj. E di dhe prokuroria, e di dhe Edi Rama. Shikoni kush është graduar e pasuruar pas 2013. Kanë vendosur që në 8 vite në qeverisjen e PD janë pasuruar, dhe në 8 vite në opozitë nuk janë kujtuar. Demokratët i njohin”.
Ndoshta Basha ka parasysh në këtë pasurim të ish ministrave të PD, ata deputetë që mbështesin “Foltoren” Berishës. Dhe nuk e ka gabim, se ka ish ministra të PD që kanë biznese, kanë para nëpër banka, ka dy apo tre vila në të gjitha zonat e përzgjedhura dhe më të shtrenjta në Shqipëri, që nga bregdeti e deri në mal e periferi të Tiranës. Por ka me shumicë dhe mbështetës të Bashës.
Por habi ka shkaktuar fakti se pse pikërisht tani nis e flet Lulzim Basha, i cili ka qënë vetë në qendër të akuzave për pasurim gjatë qeverisjes së PD, pjesë e rëndësishme e së cilës ka qënë si Ministër i Transporteve, Ministër i jashtëm dhe Ministër i Brendshëm. Si dhe kryebashkiak i Tiranës më vonë për katër vite.
Kanë ndodhur ngjarje të bujshme në atë kohë, që nga 230 milionë eurot e zhdukura të Rrugës së Kombit me një dorë dhe të evidentuar nga KLSH e kryesuar nga një ish deputet i së djathtës. Nuk e beson askush se Basha ka qëndruar pa e “ngjyer” gishtin në këtë aferë shumëmilionëshe të evidentuar nga KLSH, pasi mund të ketë dhe para të tjera në lojën e shpërdorimit, sepse projekti u nis për 419 milionë euro dhe deri më tani 66 kilometra rrugë i kanë kushtuar xhepave të shqiptarëve mbi 1.5 miliardë euro. Pra trefishi i shpenzimeve. Ku janë paratë?!
Kundërshtarët e Berishës nuk mungojnë që t’ia përmendin Bashës këtë fakt, shtuar aty dhe akuzat e tjera deri si kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe në veçanti pasurimi i shpejtë në opozitë dhe në kohë krize, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe të pandemisë që vijon ende të marrë jetë shqiptarësh. I përmendin 4 vila dhe një supermakinë. Po nënvizojmë vetëm akuzat e bëra nga njerëzit afër Berishës, të larguarit nga PD që përkrahin “foltoren” e Berishës dhe mediat e vetë familjes Berisha dhe të afërta me të.
Pa harruar përmendjen nga Berisha dhe mbështetësit e tij në “foltore” të lobimit në SHBA me para ruse, duke distancuar PD nga lideri i saj, dhe duke e cilësuar këtë aferë komplet një “kontribut” i Lulzim Bashës. Madje Berisha deklaron se në iPadin e tij ka të shënuar gjithçka një shantazh i pastër ky ndaj rivalit politik brenda PD, të cilit përmes Kuvendit Kombëtar të kësaj partie do të kërkojë t’i “hajë” kokën dhe ta shkarkojë. Berisha e akuzoi dhe për aferën më të re sipas tij, atë të Portit të Durrësit, por dhe rivitalizuar akuzën më të hershme të pallatit të vjehrrit në Vlorë, nga shembja e të cilit ai fitoi mbi 13 milionë euro dëmshpërblim.
“Në këtë iPad kam shumë dokumente, që faktojnë se Lulzim Bashës i kam thënë në zyrën time shumë gjëra. Ato gjëra që keni kërkuar ju. Unë këtu kam shumë dokumente, unë mund të faktoj shumë gjëra… Por s’e kam sulmuar kurrë publikisht. Ky është gabimi im”, tha Sali Berisha disa ditë më parë në Shkodër, duke i dhënë një mesazh të qartë Bashës se e ka përgjuar në zyrën e tij.
Nuk i kanë formuluar gazetarët këto akuza, por janë artikuluar nga vetë Berisha e mbështetësit e tij.
Ndërkohë që në krahun tjetër, Basha dhe njerëzit që e rrethojnë nuk lënë rast pa përmendur shpalljen “non grata” të Berishës për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë, të ngritur në një nivel tjetër akuze deri në etiketimin “llum të tranzicionit” pa përcaktim për të gjithë ata që i janë bashkuar “foltores”. Akuza të cilat sipas tyre po izolonin PD-në nga SHBA e BE. Pavarësisht se pjesë e këtij “llumi qeverisjeje” ka qenë vetë për 8 vite.
Një shkëmbim i tillë akuzash mes Berishës dhe Bashës, që kanë qënë bashkë në qeverisjen e PD për 8 vite me radhë, njëri kryeministër dhe tjetri ministër në disa dikastere, e “kryqëzuar” dhe me kërkesën e papritur të Bashës për vetting të politikanëve ka shkaktuar habi. Për vetë kohën e zgjedhur për ta artikuluar një kërkesë të tillë, dhe për vetë amplitudën e lartë të “dekonspirimit” të zullumeve të njëri tjetrit, sidomos në 16 vitet e fundit.
Në krye të herës duhet të nënvizojmë faktin se procesi i vettingut të politikanëve derisa të marrë jetë kushton kohë dhe energji dhe mund të zgjasë pa fund deri sa të bëhet ndryshimi i duhur në Kushtetutë për këtë qëllim dhe të nxirren aktet ligjore dhe nënligjore që autorizojnë SPAK-un, siç e kërkon Basha, për të hetuar pasurinë e politikanëve dhe të afërmeve të tyre.
Ndërkohë që SPAK e ka detyrim ligjor dhe kushtetues që të hetojë korrupsionin e lartë shtetëror, duke filluar nga Presidenti i Republikës dhe duke përfunduar tek zyrtari më i thjeshtë. Përmes kallëzimeve të bëra me dokumente nga ana e grupeve të caktuara apo përmes indicies që mund të vijë nga vetë akuzat që politikanët i bëjnë njëri tjetrit. E ka detyrim, me apo pa vetting.
Hetimi nuk do të thotë se do të bëhet dhe gjykimi automatik e shpallja fajtor për një vepër penale të caktuar, në rastin konkret abuzimi me paratë e shtetit. Thjeshtë mund të hetohesh, dhe të mos gjendet asnjë provë. Politikani në këtë rast mund të fitojë përjetësisht ‘pastërtinë’ që i nevojitet për të bërë karrierë. Është e thjeshtë fare.
Mjafton që SPAK të marrë në shqyrtim akuzat, të kërkojë dokumente dhe prova, për atë punë paguhet dhe jo për të qëndruar në zyrë në pritje të ardhjes së tyre nga individë, shoqata apo parti politike që ngrenë një akuza apo probleme për qëllimet e tyre ose dhe për të ardhmen e Kombit.
E kemi thënë dhe herë tjetër, mjafton që SPAK të zbresë në terren përmes ekspertëve të vet, pjesëtarëve të BKH- “FBI-së shqiptare dhe të evidentojë pasuritë. Mund të pyesë dhe në lagjet përkatëse dhe t’i tregojnë me detaje se e kujt është vila, e kujt është pasuria, kush fshihet pas tyre, kush pushon çdo fundjavë dhe kush qëndron gjatë gjithë vitit. Jemi shqiptarë në fund të fundit, dhe na “intereson” më shumë jeta dhe puna e tjetrit. Pastaj ti hyjë me themel e ti hetojë.
Nuk e përjashtojmë mundësinë që SPAK të ketë ndërmarrë ndonjë hap, pasi vihet re një shqetësim i shtuar në radhët e politikanëve, ish zyrtarëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri.
Ndaj habit kërkesa e papritur e Bashës, e cila me sa duket nuk është thjeshtë për konsum politik apo për të përballuar sulmet “poshtë brezit” të Berishës e mbështetësve të tij përmes “Foltores” dhe mediave që e mbështesin.
Me sa duket Basha dhe zyrtarët e tjerë, këtu Berisha është i parti ndaj hesht dhe bën sikur pajtohet me Vettingun e Bashës, e kanë ndjerë “erën” e SPAK se do të nisë hetimet për politikanët dhe zyrtarët e lartë me mbështetjen e fortë të SHBA dhe të BE. Këta të fundit nuk e kanë fshehur qëllimin për të goditur pikërisht “peshqit e mëdhenj” të politikës.
Duket se kjo është arsyeja pse po artikulohet ideja e ndërhyrjes në Kushtetutë për vettingun e politikanëve përmes SPAK, një tentativë thjeshtë dhe vetëm për ta zvarritur procesin dhe dërguar në “kalendat greke” zbardhjen e pasurisë së qeveritarëve tanë të 30 viteve.
Eshtë skemë e njohur, që për të varrosur një çështje, ngrihet një komision parlamentar hetimi, e ka thënë Çurçilli këtë. Ndërsa për të bllokuar drejtësinë, është gjetur mënyra se ndërhyhet në Kushtetutë e mbivendoset në rastin konkret vettingu i politikanëve mbi të drejtën kushtetuese dhe ligjore të SPAK për t’i hetuar ata deri në brezin e pestë.
SPAK nuk ka nevojë për ngritjen e një ligji për vettingun e politikanëve, as Inspektorati i Kontrollit dhe deklarimit të Pasurive. Institucionet janë, “markimin” përmes ligjit për ta kryer një punë të tillë e kanë, thjeshtë duhet vullnet.
Kjo është arsyeja që pjesa më e madhe e juristëve dhe konstitucionalistëve e kanë kundërshtuar këtë ide mbivendosjeje apo “rimandantimi” të SPAK për të hetuar korrupsionin tek politikanët e lartë duke shtuar dhe vettingun. SPAK thjeshtë të bëjë detyrën mbi bazën e funksionit mbi të cilin është ngritur si institucion, dhe me sa duket ka nisur ta bëjë, përderisa kërkohet t’i nxirren “bishta” këtij procesi. Thjeshtë SPAK të hetojë, me këto ligje ia nxjerr “fundin” korrupsionit tek zyrtarët e lartë, nëse ka aftësinë dhe vullnetin e duhur. Vetingu është brenda.