Basha mesazh për demokratët: PD s’do jetë kurrë prona familjare e Berishës me tapi të Edi Ramës, një faqe e re po hapet për Shqipërinë

Basha mesazh për demokratët: PD s’do jetë kurrë prona familjare e Berishës me tapi të Edi Ramës, një faqe e re po hapet për Shqipërinë

Lulzim Basha

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha u ka drejtuar një mesazh demokratëve, duke deklaruar se Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë pronë private e Sali Berishës me mbështetjen e Edi Ramës.

Ai thekson se PD, e lindur si simbol i shpresës dhe lirisë, është larguar nga parimet e saj për shkak të interesave personale dhe kultit të individit. Sipas Bashës, aleanca mes Berishës dhe Ramës po pengon rinovimin e partisë dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Basha u bën thirrje demokratëve të qëndrojnë për vlerat dhe të hapin një faqe të re për Shqipërinë.

“Sakrificat do të shpërblehen dhe PD do të rikthehet te misioni i saj historik”, tha ai.

Postimi i plotë i Bashës:

Partia Demokratike lindi si një simbol i shpresës dhe mendimit të lirë, si dritarja e parë drejt Perëndimit pas dekadave të errëta të izolimit dhe dhunës. Në dhjetorin e vitit 1990, studentët dhe intelektualët ndezën flakën e demokracisë, duke krijuar një udhë të re për Shqipërinë dhe duke ndërtuar një lëvizje që mishëronte aspiratën për liri, drejtësi dhe zhvillim.

Ajo e nisi me sukses misionin e saj historik, kur u bë shtëpia e parë e të djathtëve në epokën e re, duke mbyllur kapitullin e dhimbshëm të komunizmit çnjerëzor, por humbi lidershipin moral kur fill pas ndryshimit ricikloi mjetet dhe metodat e kastës komuniste.

Partia e hapur, e madhe, e lidhur ngushtësisht me Perëndimin, u bë vatra mbytëse e riciklimit të figurave të lidhura me të shkuarën diktatoriale, e kultit të individit, e idhujtarisë dhe luftës të paparimtë politike, duke u larguar nga parimet dhe vlerat që e kishin kthyer në shumicën plebishitare të hapave të parë të lirisë.

E nëse ndër arritjet më të mëdha të tranzicionit janë shkruar me djersën dhe gjakun e demokratëve, sakrificat e tyre shpesh herë janë keqpërdorur duke prodhuar konflikte të panevojshme me shoqërinë shqiptare, që ende nuk kanë gjetur udhën e mirëkuptimit.

 Populizmi i turmave të hidhëruara nga gjuha përçarëse dhe ndikimi i interesave personale e kanë larguar nga rrënjët e saj dhe misioni fisnik: si një parti e ideve, e të përndjekurve, e pronarëve, e shtetit të së drejtës, e identitetit të qartë Perëndimor dhe e vizionit të kthjellët për të ardhmen.

Sot ajo lëngon në një tension mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku një pjesë e saj tërhiqet zvarrë nga interesat personale e njërit prej themeluesve, që kërkon ta dënojë këtë forcë politike me peshën e fatit të tij individual, duke e larguar nga shërbimi në interes të shqiptarëve dhe demokratëve. Në luftën e tij të verbër për ta përdorur Partinë Demokratike si një mur mbrojtës në betejën së tij me Perëndimin dhe drejtësinë, ai ka rekrutuar kundërshtarët historik të së djathtës, në një përpjekje të përbashkët për të ndalur të pandalshmen, rinovimin dhe ndryshimin.

Ndonëse aleanca mes Edi Ramës dhe Sali Berishës u ka dhënë atyre kohë nga koha e shqiptarëve, Partia Demokratike nuk ka për të qenë kurrë prona private e një individi me tapi të pushtetit socialist, sepse ajo nuk mund të privatizohet, as nuk mund të flijohet si kurban i kastës të vjetër të tranzicionit, në përpjekjen e tyre të mbrapsht për të mbajtur peng forcën e parë properëndimore të Shqipërisë dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Në këtë përballje mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku ata që u veshën me pushtet nga demokratët u fshehën në xhepat e vogla të llogarive meskine, kanë dalë në dritë kampionë të qëndresës dhe vlerave. Burra, gra, të rinj e të reja, që janë ngritur në lartësinë e momentit dhe kanë shpallur me zë të lartë të vërtetën, kanë mbrojtur me forcë identitetin e të djathtës, janë rreshtuar me vendosmëri në krah të aleancave të shenjta të kombit tonë,  kanë sakrifikuar interesat personale në shërbim të interesit publik, duke treguar se lidershipi nuk qëndron tek karrigia, por tek koherenca, forca e karakterit, fuqia e ideve dhe bindja se ajo që nuk është e mirë për Shqipërinë, nuk mund të jetë e mirë për Partinë Demokratike dhe demokratët. 

Sot mund të duket një ditë e zymtë për demokratët dhe shqiptarët që dëshirojnë një PD të lirë nga kulti i individit, një parti që përfaqëson interesat e qytetarëve – të rinisë, grave, fermerëve, pronarëve, të përndjekurve dhe intelektualëve – dhe jo të një familjeje me llogari të hapura me drejtësinë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Por dielli do të shndrijë sërish për demokratët dhe shqiptarët, të cilët, siç kanë mësuar 34 vite më parë, pa sakrifica nuk ka vepra të mira. Sakrifica e burrave dhe grave që qëndruan për vlerat mbi të cilat u themelua PD-ja do të shpërblehet, dhe një faqe e re po hapet për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është amaneti i rinisë, 34 vite më parë, është misioni ynë sot.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

Me rroba të zeza dhe kapuç ky është autori që vendosi lëndën plasëse tek lokali 'The Boss' në Vlorë

Me rroba të zeza dhe kapuç ky është autori që vendosi lëndën plasëse tek lokali 'The Boss' në Vlorë