LUSHNJE - Nga Lushnja ku zhvilloi një takim me të rinjtë në kuadër të turit elektoral lideri i opozitës, Lulzim Basha, denoncoi rritjen e borxhit publik.

Kryedemokrati Lulzim Basha bën fajtor të vetëm për këtë situatë dyshen Rama- Meta.

I rritën taksat që të vjelin e të mjelin popullin por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi. E pyesim ku janë vendet e punës që premtove, ai thotë po mbyll një gropë të madhe; e pyesim pse janë rritur çmimet, po mbyll një gropë të madhe, përgjigjet; pse e ke rritur çmimin e energjisë, pse i ke rritur faturat abuzive, po mbyll një gropë të madhe. Cila është kjo gropë? Është gropa e borxhit sipas tij por Edi Rama ka marrë 700 milionë dollarë më shumë borxh se qeveria paraardhëse dhe s’ka larë asnjë lek borxh qe i bie 240 mije leke të vjetra për frymë shqiptari nga foshnja tek më plaku,” – tha Basha.

Kreu i opozitës shtoi se sulmet ndaj opozitës nuk janë gjë tjetër, veçse mungesë alternativash për zgjidhjen e problemeve.

Sulmet ndaj opozitës, sulmet ndaj meje çfarë tregojnë? Se nuk kanë ofertë, nuk kanë zgjidhje për ju. Thonë Basha flet për taksën e sheshtë e për rritje të rrogave e të pensioneve e për ulje e çmimit të energjisë por ky nuk është momenti i duhur. Po kur është momenti i duhur, në qoftë se nuk është sot, kur papunësia rinore ka arritur 40%, kur papunësia kombëtare është 20%, kur mjerimi është pesëfishuar, kur çmimet janë rritur, kur nafta është më e shtrenja në Europë, kur energjia elektrike është kthyer në një makth për çdo familje?! Cilat janë prioritete, nëse jo këto çështje?! E pra, sot ju them se për ne, prioriteti numër 1 është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të lart, për punë dhe dinjitet, asnjë prioritet tjetër nuk kemi mbi këto.”

Lideri demokrat shpalosi platformën e Partisë Demokratike për zgjedhjen e disa çështjeve kryesore.
 
Kandidati për kryetar bashkie Darien Xhindoli ka theksuar se prioritet në programin është uljen e taksave për biznesin dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)