Lulzim Basha nga Pogradeci premtoi se kur të vijë në pushtet vitin e parë nuk do të lejojë asnjë inspektor që të kontrollojë bizneset. Ai tha se do i fusë në 'karantinë' për një vit, deri kur të bëj një ligj europian. "Kosova dha 400 mln euro paketë për të ndihmuar konsumin dhe sipërmarrjen dhe vitin tjetër 1.2 miliard euro për shkak të COVID-it. Tani shikoni cfarë ka bërë Shqipëria, shpërndau 90 mln euro për 3 muaj, megjithëse buxheti i Shqipërisë është dyfish më i madh se i Kosovës. Ta dinë edhe ata që mendojnë se është përballje politike, asgjë personale, vetëm meraku dhe brenga juaj, ku po shkojnë paret? Receta jona ishte 90 mln euro në muaj që është injoruar dhe tallur.

Ky është ndryshimi i parë që do të vijë. Prioriteti im i parë do të jetë ringritja ekonomike sepse gjithcka që ka shkuar keq është pasojë e politikave të gabuara dhe klientelizmit, këtë e kemi parasysh me taksën e sheshtë. Këtë kemi parasysh me karantinën e inspektorateve, vitin e parë të qeverisjes sime të ardhshme, një vit nuk do të shikojnë inspektor me sy derisa të kemi ligjin dhe zbatimin në nivele europiane" Në fund Basha kishte një apel për qytetarët duke u kërkuar që të mbrohen vetë, pasi sipas tij qeveria është dorëzuar. "Ju lutem merrni masa maksimale, qeveria është dorëzuar, nuk ka asnjë plan, asnjë strategji. Mos prisni gjë nga qeveria, merrni masa dhe mbrohuni" tha ai.