Basha: Nuk ka paqe me shkeljen e
ligjit dhe inkriminimin e administratës

Basha: Nuk ka paqe me shkeljen e<br />ligjit dhe inkriminimin e administratës
Të nderuar  deputetë,
Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe anëtarë të opozitës e aleatëve,
Më lejoni ta nis me një urim për nënkryetarin e Kuvendit z Edmond Spaho i cili i bashkëngjitet grupit opozitar pas një mungese disa mujore për shkak të aksidentit e ti uroj një shërim sa më të shpejtë dhe mirë se kthehesh në familjen dhe përpjekjen tonë të përbashkët.

Siç e dini, javën e kaluar isha sërish në samitin e radhës të EPP në Bruksel, ku vijova punë tonë konstante në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjen në vijimësi të negociatave për anëtarësimin e vendit  në BE. Me bindjen se Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë ketë.

Partitë simotra, kryetarët e tyre në qeveri e kanë konsideruar  qëndrimin tonë të drejtë dhe largpamës, të denjë të një opozite europianiste dhe kombëtare, që di të  vlerësojë përparësinë  e aspiratës  popullore për integrim në raport  me pengesat serioze që janë krijuar  në këtë rrafsh qeveria  Rama-Meta.

Në këtë kuptim, aleatët dhe miqtë tanë në PPE vlerësojnë dhe mbështesin pa asnjë hezitim  betejën tonë tashmë gjashtëmujore  në mbrojtje të vlerave të lirisë, kolonave të  demokracisë dhe shtetit ligjor, një betejë ekzistenciale,  që na është imponuar nga oreksi anti-demokratik i kësaj qeverie.
Kjo nuk ka qenë e lehtë për faktin se publiku ka patur shpresa dhe pritshmëri të mëdha nga kjo shumicë.

Por me zbehjen e përshpejtuar të  këtyre iluzioneve, sa për shkak të mashtrimeve dhe dështimeve, aq edhe falë  vendosmërisë  sonë për të  bërë një opozitë të mbështetur në fakte, argumente dhe arsye, e drejta në gjithë këtë betejë politike dhe ligjore është kthyer me fytyrë nga ne. Shpresa gjithashtu.

Nuk do të kishim e nuk do të kemi zë në Europë po të mos mbrojmë vlerat e lirisë dhe shtetit ligjor. Lobimi ynë për statusin nuk do të kishte vlerë, nuk do të mirëkuptohej, për të  mos thënë se do të tingëllonte i turpshëm, nëse ne do të shkonim për të bërë  mburojën e  shkeljeve të qeverisë apo nëse do të investoheshim për një paqe teatrale në  Tiranë  gjoja për t’ja hedhur Brukselit. Këtu truket nuk funksionojnë. Demagogjia nuk pi ujë.   

Do të  vazhdojmë ta bëjmë me vendosmëri punën  tonë si opozitë, pavarësisht  ngushtimit gjithnjë e më kritik  të hapësirave në Kuvend, pavarësisht fjalorit të ulët, deri rrugaçëror të kryeministrit, apo isove me buzëqeshje të kryetarit të Kuvendit, të cilët kanë harruar, nëse e kanë ditur ndonjëherë se është detyrë e opozitës të pyesë qeverinë, t’i kërkojë llogari qeverisë, të denoncojë aktet e qeverisë në bazë të fakteve apo edhe  dyshimeve të përligjura. Siç bëmë javën e kaluar me marrëveshjen me FMN të vërtetës tronditëse të së cilës do t’i kthehemi sërish në Kuvend e jashtë Kuvendit. Ndërsa detyra e kryeministrit, ministrave dhe qeverisë është të japin përgjigje, të japë shpjegime, të bëjnë transparencë, ju pëlqen apo jo.

Ky është kuptimi i parlamentarizmit. Fyerjet në vend të përgjigjeve, sharjet në vend të transparencës dhe argumentit janë shkatërrimi i parlamentarizmit.  
Në sfondin e shijes shumë të keqe që la javën e kaluar një sjellje si kjo e zotit Rama, unë, siç e dini mora një letër të hapur prej tij ku më ftonte ta takoheshim për çështjen e reformës territoriale-administrative.

Letra që kam marrë dhe letra që kam kthyer janë tashmë të njohura për gjithë publikun.
Sot, në këtë takim, dua të nënvizoj disa momente, në dritën e rikthimit të temës së dialogut  në fjalorin politik të ditës.
Së pari, sa i përket reformës territoriale-administrative, më duhet të ripërsëris se kjo reformë, për vetë rëndësinë dhe përmasat që ngërthen, kërkon si minimum konsensus politik dhe si optimum kushtetues konsensus dhe gjithpërfshirje të publikut.

Vetë natyra e reformës e dikton këtë dhe jo tekat, dashja apo mosdashja e palëve. Nëse kundërshtarët tanë vinë te ky qëndrim: mirë se të vinë.
Së dyti, për kundërshtarët tanë, dialogu, siç mund të jetë shprehje e një reflektimi pozitiv dhe kthimi nga rruga pa krye e arbitraritetit dhe arrogancës, mund të jetë edhe një lojë politike, një manovër meskine për të kaluar një situatë, për t’i hedhur hi syve dikujt, për t’u dukur çfarë nuk janë.

Në parim, do të ishte mjerim i madh të kesh një koncept të tillë për dialogun. Por do të ishte edhe pa asnjë vlerë praktike gjithashtu. E vërteta del. Koha ka treguar se dialogu për dialog është edhe më keq se përballja në pasojat negative që prodhon.

Për ne dialogu ka qenë dhe është vlerë, ka qenë dhe është një mjet i pazëvendësueshëm për çuarjen përpara të reformave, ka qenë dhe është një mendësi e marrëdhënieve me njëri tjetrin, me shoqërinë civile, me njerëzit e lirë, me palën kundërshtare; ka qenë dhe është mendësia për t’i ballafaquar dhe jo për t’i majisur problemet, për t’i zgjidhur e jo për ti fshehur.

Në kulturën dhe sjelljen tonë, vlera e dialogut në parim u mbivendoset pengesave që e vështirësojnë atë, qëndron mbi to.
Ndërkohë, ne e kemi shumë të qartë se ekziston një kulturë dhe një etikë e tërë e dialogut, ekzistojnë norma dhe standarde që duhen respektuar me qëllim që dialogu të jetë i pasforcuar, i natyrshëm, i sinqertë, konkret, produktiv, i përligjur me rëndësinë  e çështjes, pra  të mos jetë për fasadë,  të mos jetë shou.

Është pikërisht në një funksion të tillë, dhe një produkti të tillë, të një klime të re politike, në funksion të marrjes se statutit dhe shtrimit të rrugës për kryerjen e reformave të integrimit të vendit në Bashkimi Europian, që Partia Demokratike, opozita dhe unë i drejtohemi sërish kryeministrit dhe shumicës së tij: 

1-Të zbatojnë menjëherë, pa asnjë hezitim dhe ekuivok vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Nëpunësin Civil dhe INUK-un. Të zbatojnë vendimet e gjykatave të vendit për kthimin në vendin e tyre të punës të të gjithë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave të administratës publike të larguar nga puna në mënyrë të paligjshme.
Një qeveri që refuzon të zbatojë vendimet e formës së prerë të gjykatave padit veten e saj si një qeveri thelbësisht anti-demokratike. Kjo është e patolerueshme dhe e papranueshme në botën demokratike.

Raprezalja e nisur që në tetor të vitit të kaluar ka bërë kërdinë, ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot me intensitet të lartë. Ligjvënësit e opozitës i kanë kërkuar zyrtarisht informacion të gjitha ministrive që prej datë 19 shkurt mbi largimet nga puna dhe rekrutimet e reja në administratën e tyre dhe të institucioneve të varësisë. Pesëmbëdhjetë ditë është afati ligjor për të kthyer përgjigje, që do të thotë se me 6 mars duhej ti kishim në dorë të gjitha të dhënat e kërkuara. Deri më sot, informacioni është dhënë vetëm nga dy ministra pa portofol dhe pa administratë si dhe nga tre ministri, prej nga rezulton se janë larguar rreth një mijë nëpunës, tetëqind prej të cilëve vetëm në Ministrinë e Drejtësisë.
Ky informacion u ndërpre papritur, me një urdhër të paligjshëm të kryeministrit, që mendon se në këtë mënyrë nuk do të merret vesh e vërteta skandaloze e aktit të tij normativ antikushtetues me anë të të cilit ka flakur në mes të katër rrugëve mbi shtatë mijë burra dhe gra, të rinj dhe të reja dhe familjet e tyre dhe vazhdon përditë të flakë të tjerë. I përsëris thirrjen kryeministrit të prapësojë urdhrin e paligjshëm, e t’u kërkojë institucioneve nën vartësinë e tij të zbatojnë ligjin e t’u përgjigjen ligjvënësve tanë.

Mazhoranca duhet të tërheqë fare nga axhenda e Kuvendit, dhe jo t’i shtyjë, projektet e tyre arbitrare për Nëpunësin Civil dhe AMA-n. Opozita e refuzon me përbuzje lojën me shtyrje në formën e karrotës apo shantazhit të çdo projekti që bie ndesh me natyrën konsensuale të projektligjeve dhe ligjet në fuqi të miratuara më parë dhe Kushtetutën.
Mazhoranca duhet të  heqë dorë  në mënyrë të qartë e përfundimtare   nga  sulmet kundër institucionit  të Presidentit  të Republikës dhe institucioneve  të pavarura, të tërhiqen nga marrja arbitrare e kompetencave të Presidentit  si në  rastin e shkarkimit të kreut  të ILDKP-së. Të kthejnë normalitetin ligjor në këtë institucion. Të ndalin revanshin e tyre ndaj institucioneve e pavarura dhe kushtetuese me qëllim për t’i vënë nën thundrën politike ose përmes ndërprerjes antikushtetuese të mandateve të tyre ose përmes intimidimit.
Zonja dhe zotërinj deputetë,

Një çështje madhore në vete e evidentuar gjatë javës së kaluar është promovimi në poste drejtuese nga kjo qeveri e personave me precedentë penalë dhe rekorde kriminale. Javën e kaluar, vetëm në katër ditë ne kemi bërë katër denoncime me emra konkretë.
Shqiptarët janë skandalizuar duke parë se dyshja Rama Meta në poste kyçe të administrimit të vendit i kanë varur ujkut mëlçitë në qafë, siç thotë populli. Aty ku certifikohet siguria ushqimore, emëruan një prodhues dhe trafikant të ushqimeve dhe pijeve fallso. Aty ku kontrollohet cilësia e kujdesit shëndetësor, një kontrabandist ilaçesh. Aty ku duhet ti ofrohen rinisë perspektiva dhe shanse punësimi, një person në kërkim ndërkombëtar për kontrabandë cigaresh. Në portin më të madh të vendit , një person të dënuar për trafik droge.

Sipas të dhënave tona, fenomeni është në përmasa shumë shqetësuese. Është e tmerrshme kur dëgjon se Shqipëria e qeverisë  Rama-Meta po konsiderohet çdo ditë e më shumë si vendi ku krimi jo vetëm punësohet me përparësi, por kërkon dhe ia ka arritur në shumë  fusha dhe zyra  të  jetë në timon. 
Të denoncuarit me fakte nga opozita po japin dorëheqjen dhe mirë bëjnë. Nuk ka dyshim se emërimi i tyre është bërë në kundërshtim me ligjin, rregullat dhe kriteret. Emërimi i tyre  provon falsitetin e meritokracisë  që predikon qeveria Rama-Meta. Jo meritokracia, por krimokracia është e reja që kanë sjellë.  Dhe kjo duket qartë edhe në qëndrimet që mbajnë, duke u mjaftuar me heshtjen vetëkompromentuese për dorëheqjet e atyre që  kap me fakte opozita.
Po si erdhën këta të inkriminuar në këto poste? Kush i solli? Me çfarë sistemi? I kanë blerë me para në dorë këto poste, apo jemi në hullinë e rrezikshme të  kapjes së drejtimit të administratës nga krimi dhe grupet kriminale?

Nëse qeveria nuk arrin të godasë fort mekanizmin që prodhon këtë përçudnim të mirëfilltë të drejtimit, do të thotë se është ajo që e prodhon.
Opozita po vazhdon ta ndjekë me vëmendje të madhe ketë dukuri të pashembullt në shëmtimin dhe rrezikun që paraqet. Kemi kërkuar, kemi marrë dhe përshëndesim dhe inkurajojmë  publikun në mbështetjen që po jep.

Nuk ka paqe e nuk do të këtë paqe, pajtim jo se jo, me krimin dhe shkeljen e ligjit nga ana jonë.
Faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK